Akademia Islame në Angli vandalizohet dhe sulmohet për herë të dytë brenda 3 muajve (Foto)

Një akademi islame është sulmuar dhe vandalizuar për herë të dytë brenda tre muajve, tha të martën drejtuesi i akademisë.

Akademia Bahr në qytetin e Newcastle u sulmua të hënën në mbrëmje nga gjashtë individë, të cilët pasi hynë në shkollë dhe në ambjentet e faljes, thyen dritaret dhe përdhosën kopjet e Kur’anit, deklaroi imami Abdul Muhit.

“Një nga fqinjët na telefonoi dhe na tha se disa njerëz ishin brenda shkollës dhe po thyenin gjëra. Kur arritëm, pamë se edhe policia arriti në të njëjtën kohë dhe kapëm gjashtë të rinj”, tha Muhit.

“Nuk e arritëm zjarrin, por pamë se një tapet ishte djegur dhe e kuptuam se ata po bëheshin gati për ti vënë zjarrin gjithë ndërtesës. Ata i gjetëm duke biseduar për muslimanët dhe duke përdorur terma raciste,” shtoi ai.

Sipas një vëzhgimi, sulmi ndodhi në orën 9:00 ndërsa drejtuesit e institucionit dhe policia mbërritën në akademi në orën 9.20 të mëngjesit, moment ky që autorët e krimit ishin ende brenda duke shkaktuar dëme.

Megjithëse individët u kapën nga policia, Muhit tha se nuk ishin në gjendje që t’i arrestonin në atë moment pasi nuk pati mjaft personel policor në vendngjarje. Megjithatë, pas identifikimit të të dyshuarve, policia arriti ti arrestonte të martën në mëngjes.

I pyetur nëse sulmi kishte pasur një ndikim në komunitetin musliman në Newcastle, Imam Muhit tha se ishte ende herët të fliste. Megjithatë, ai tha se ky ishte sulmi i dytë në më pak se tre muaj dhe i katërti në përgjithësi dhe se sulme të tilla kanë ndikuar në ndjenjat e komunitetit, por edhe i kanë bashkuar gjithashtu.

“Kjo është e vetmja akademi islamike në Anglinë e veriut dhe nëse bashkësia jonë nuk bashkohet për ta mbrojtur atë, në të ardhmen mund të ndodhë një sulm edhe më i keq”, tha imami.

Institucioni islam u vandalizua më parë në janar 2019, me mbishkrime raciste në muret e saj. Krimet e urrejtjes anti-muslimane janë rritur në të gjithë Anglinë pas sulmeve terroriste në xhamitë në Christchurch të Zelandë së Re, ku ngelën të vrarë 50 muslimanë.

Sulmet islamofobe u rritën ne Angli me gati 600 për qind vetëm në një javë pas sulmit terrorist në Christchurch. Sulmet islamofobe kanë qenë kryesisht sulme verbale, raporton Tell Mama, një organizatë joqeveritare që dokumenton incidentet islamofobe në Angli./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne