Akademikë të njohur në botë: Vetëvendosje, e vetmja shpresë për Kosovën

Republika e Kosovës po shkon në zgjedhje të reja të përgjithshme, të cilat do të mbahen më 6 tetor, 2019. Qeveria konservatore dhe neoliberale e deritanishme, e përbërë nga një koalicion me mbi 17 parti politike, do të mbahet mend për vendimet e saja neoliberale, për korrupsionin e niveleve të larta dhe për politikën e jashtme apatike. Kjo vetëm e ka përkeqësuar gjendjen tashmë shumë të rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës.

Niveli i papunësisë në Kosovë është të paktën 32% dhe trendi vazhdon të jetë negativ. Ndërmarrjet publike janë rrezikuar nga kontratat e dëmshme me qëllim privatizimin. Pabarazia në pasuri dhe në të ardhura është e lartë dhe vetëm sa po thellohet, ndërkohë që niveli i lartë i varfërisë nuk po zvogëlohet. Republika e Kosovës mbetet vendi më i varfër në Evropë.

Kjo situatë ka nevojë për masa urgjente që mund të ndërmerren vetëm nga një program social- demokrat, dhe në Kosovë, është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! ajo që mund të marrë masa të këtilla. Në zgjedhjet e fundit të 2017, LVV doli partia me mbështetjen më të madhe ndërkaq kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, ishte njeriu më i votuar në Kosovë. Prej asaj kohe, Lëvizja u rrit me një ritëm të paprecedent, si rezultat i programit, politikave, aktiviteteve e edhe si rezultat i situatës së përkeqësuar në Kosovë.

Statusi politik dhe juridik i Kosovës është veçanërisht i pazakontë. Ndërkohë që formalisht e pavarur, Kosova mbetet një vend i varur, i shndërruar kështu në një vend mes gjysmë- kolonializmit dhe gjysmë- protektoriatit. Si pasojë, u bë tokë pjellore për shumë politika dhe projekte neoliberale dhe të tjera të ngjashme, ku edhe rregullat formale elementare të demokracisë shkelen tepër shpesh.

Siç e dimë, këto çështje nuk janë lokale, por globale. Paradigma neoliberale na ka bashkuar të gjithëve për të luftuar kundër saj dhe për ta bërë këtë kemi nevojë për solidaritetin e mbështetjen e njëri- tjetrit.

Prandaj, ne si nënshkrues shprehim mbështetjen tonë për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për Kurtin në zgjedhjet që po vijnë, me shpresën se qeveria e tij e ardhshme do të jetë një fillim i ri në këtë betejë të vështirë, por të domosdoshme, kundër ngjarjeve aktuale në Republikën e Kosovës. Në situata si kjo, shpresa është më e rëndësishme se realiteti aktual, diçka që Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kurti ia japin popullit të këtij vendi, si parakusht për çdo transformim të realitetit në Kosovë. /lapsi.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne