Bota

Akar diskuton operacionin “Burimi i Paqes” me homologun britanik, francez dhe amerikan

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka zhvilluar biseda telefonike të ndara me homologen franceze, Florence Parly, atë britanik Ben Wallace dhe atë amerikan Mark Esper, të cilët i ka informuar mbi rrjedhën e operacionin “Burimi i Paqes”, i cili po zhvillohet nga forcat turke në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njofitmi nga Ministria turke e Mbrojtjes, ministri turk homologes franceze i shpjegoi se qëllimi i operacionit është eleminimi i grupeve terroriste që ndodhen në rajon, veçanërisht grupet terroriste DEASH dhe PKK/PYD-YPG në lindje të lumit Eufrat, si dhe krijimi i një korridori të paqes që do t’u mundësojë sirianëve që jetojnë në Turqi të kthehen në atdheun e tyre.

Në telefonatë, siç thuhet në njoftim, Akar theksoi se Turqia është “i vetmi vend anëtar i NATO-s dhe koalicionit, që po qëndron ballë për ballë me luftën e DEASH-in dhe që neutralizoi më shumë se 3 mijë terroristë të DEASH-it”.

Akar po ashtu informoi homologen e tij për ndjeshmërinë e Turqisë gjatë ekzekutimit të operacionit duke shënjestruar vetëm terroristët, strehimoret, pozicionet, armët, mjetet dhe pajisjet e tyre.

“Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe jo vetëm sigurisë së vendit dhe kombit tonë, por edhe sigurisë së grupeve fetare dhe etnike që jetojnë në rajon”, theksoi Akar.

Akar po ashtu tha se vëmendje dhe ndjeshmëri maksimale po tregohet për të parandaluar dëmtimin e civilëve dhe njerëzve të pafajshëm, strukturave historike, kulturore dhe fetare, si dhe infrastrukturës në rajon.

Ndërkaq, në bisedën telefonike me homologun britanik, Akar dhe Wallace kanë shkëmbyer mendime rreth çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rreth rrjedhës së operacionit “Burimi i Paqes”.

Bisedë të ngjashme rreth operacionit turk në Siri është diskutuar edhe në bisedën telefonike me homologun amerikan, Esper.

Të mërkurën Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste, si dhe për të siguruar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia ka theksuar se grupi terrorist PKK dhe zgjatja e saj YPG/PYD përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit.

Ankaraja po ashtu ka theksuar se mbështetja e terroristëve nën preteksin e luftimit të DEASH-it është e papranueshme.

Turqia ka një kufi prej 911 kilometrash me Sirinë dhe prej kohësh ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit dhe formimin e një “korridori terrorist” atje.

Turqia planifikon të rivendosë 2 milionë sirianë në një zonë të sigurt prej 30 kilometrash, që do të formohet në Siri nga lumi Eufrat deri në kufirin e Irakut, përfshirë Munbixhin. Megjithatë, prania e grupeve terroriste si PKK, PYD dhe YPG rrezikojnë formimin e saj.

Turqia ka çliruar nga grupet terroriste në Siri një sipërfaqe prej 4 mijë kilometrash në dy operacione të ndara ndërkufitare.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në veriperëndim të Sirisë, atë “Mburoja e Eufratit” dhe atë “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupet terroriste të DEASH-it dhe YPG-së, degës siriane të grupit terrorist PKK.

Të dy operacionet u zhvilluan duke respektuar integritetin territorial të Sirisë në përputhje me të drejtën e vendit për vetëmbrojtje të konfirmuar në ligjin ndërkombëtar, në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe nën të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së. Gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit”, forcat turke neutralizuan 3.060 terroristë të DEASH-it.

Turqia ka vuajtur shumë nga sulmet e DEASH-it brenda vendit. Më shumë se 300 persona janë vrarë në sulmet e pretenduara nga DEASH-it në Turqi, ku viteve të fundit grupi terrorist ka shënjestruar civilë me bomba vetëvrasëse dhe sulme të armatosura.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje./ AA

OPINIONE