Akar: Në operacionin “Mburoja e Pranverës” janë neutralizuar mbi 2550 pjesëtarë të regjimit

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, njoftoi se operacioni “Mburoja e Pranverës” është duke vazhduar me sukses deri më tani, ashtu siç është planifikuar.

Akar bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Yasar Guler, Komandantin e Forcave Tokësore, gjeneralin Umit Dundar dhe Komandantin e Forcave Ajrore, gjeneralin Hasan Küçükakyüz, kaluan mbrëmjen në Hatay, në afërsi të kufirit me Sirinë duke drejtuar dhe menaxhuar deri në mëngjes operacionet dhe aktivitetet kundër objektivave të regjimit në Idlib.

Kryeshefi i ushtrisë turke theksoi se regjimi sirian pavarësisht armëpushimit ka shkaktuar dramë humanitare si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore ndaj civilëve të pafajshëm.

Ai më tutje tha se Turqia si shtet garantues është duke përmbushur të gjitha përgjegjësit e saj që rrjedhin nga marrëveshjet dhe do të vazhdojë të përmbushë.

“Ajo që presim nga Rusia është që si shtet garantues të përmbushë angazhimet e saj, të ndalohen sulmet e regjimit dhe të përdorë ndikimin e saj mbi regjimin që të tërhiqet në kufijtë e marrëveshjes Soçi”, tha Akar.

Duke njoftuar për operacionin “Mburoja e Pranverës” që filloi më 27 shkurt, ai tha se operacioni është duke vazhduar me sukses ashtu siç është planifikuar.

“Deri më sot janë neutralizuar 2 avionë luftarakë, 2 dronë, 8 helikopterë, 135 tanke, 5 sisteme të mbrojtjes ajrore, 86 artileri/obusë/multiraketahedhës, 16 kundërtanke, 77 mjete të blinduara, 9 depo municionesh dhe 2557 pjesëtarë të regjimit”, u shpreh Akar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne