Akar: Objektivat e vetme të Turqisë në veri të Irakut dhe Sirisë janë terroristët

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar tha se marrëveshja e nënshkruar me Libinë është bërë në kuadër të ligjit ndërkombëtar.

Ministri Akar foli në ceremoninë e dhënies së medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare për Personelin dhe Njësitë e Suksesshme.

Gjatë fjalës së tij ministri Akar theksoi se objektivat e vetme të Turqisë në veri të Irakut dhe Sirisë janë terroristët.

“Ne nuk bëjmë diskriminim ndaj grupeve etnike dhe fetare në këtë rajon. Nuk ka absolutisht asnjë qëndrim, lëvizje apo operacion kundër arabëve, kurdëve, aramikëve, kaldeasve, hebrenjve ose të krishterëve. Në këtë çështje po bëhen shumë djallëzi”, deklaroi Akar.

Duke vënë në dukje se gjatë operacionit janë bërë shumë dezinformata në lidhje me Turqinë, Akar tha se edhe në median sociale janë bërë postime të rreme.

“Duke thënë që Turqia po përdorë armë kimike ata kanë bërë kotësi, pabesueshmëri të madhe. Forcat e Armatosura të Turqisë nuk kanë në inventarin e tyre armë kimike e as mjete për ti hedhur ato. Nuk ka botim, koncept, doktrinë, asgjë për këtë”, bëri të ditur Akar.

Ai vuri në dukje se lufta e Turqisë po vazhdon edhe në terren edhe në tavolinë.

Akar bëri të ditur se ata po punojnë për t’i dhënë fund dramës në rajonin e Idlibit në Siri, ndërsa tha se në njërën anë po përpiqen për të ndaluar masakrën e regjimit të Esadit, ndërsa në anën tjetër po punojnë për t’i lehtësuar sadopak vështirësitë e banorëve të këtij rajoni.

Ministri theksoi se krahas të gjitha këtyre aktiviteteve Turqia po zhvillon me vendosmëri edhe punime në lidhje me të drejtat dhe interesat e saj detare, ndërsa tha se “Ne nuk do të lejojmë që një vendim të merret për këtë çështje pa lejen tonë dhe të shkelet e drejta jonë atje”.

Gjatë fjalës së tij Akar preku edhe në çështjen e marrëveshjeve të nënshkruara me Libinë, ku tha se ato janë bërë plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe se nuk bëhet fjalë për dallime.

Akar tha se këto marrëveshje janë bërë me qeverinë legjitime të Libisë të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Është shumë e natyrshme që ne të bashkëpunojmë dhe të solidarizohemi me një vend në ditë të vështira me të cilin kemi marrëdhënie të ngushta gjatë historisë dhe kjo është ajo që bëjmë ne”.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne