Bota

Akar: Përjashtimi i Turqisë nga Programi F-35 do të dëmtonte seriozisht edhe NATO-n

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi të enjten se përpjekjet për t’i mohuar vendit të tij avionët luftarakë F-35 do të reduktonin gjithashtu seriozisht aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s.

Ai realizoi takime dypalëshe me autoritetet amerikane në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, ku po qëndron në kuadër të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.

Pas takimeve që pati të mërkurën me ushtruesin e detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper dhe të enjten me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Sirinë, James Jeffrey, ministri Akar iu përgjigj interesit të gazetarëve në Shtabin e NATO-s.

I pyetur nëse gjatë takimit me sekretarin Esper kanë biseduar gjithashtu për furnizimin e Turqisë me raketa S-400 dhe avionë luftarakë F-35, shefi i Mbrojtjes Kombëtare turke u shpreh me këto fjalë: “Sa i përket sistemit S-400, ne kemi detyrimet tona që vijnë nga kontrata me Rusinë. Shkurtimisht, kjo është një blerje e përmbyllur. Kurse pengimi i bashkëpunimit tonë në projektin F-35 nuk do t’i shërbente as interesave të Turqisë, as të SHBA-së dhe as të NATO-s. Turqia nuk është thjesht një shtet klient, por një prej investitorëve dhe partnerëve prodhues të Programit F-35. Deri më sot ne i kemi përmbushur të gjitha përgjegjësitë tona në lidhje me Programin F-35. Kjo është një marrëveshje tregtare. Në këtë kontekst, ne do të mbrojmë deri në fund dhe në çdo platformë të gjitha të drejtat tona.”

Akar u ndal po ashtu në marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së.

“Ne presim marrëdhënie të bazuara në respekt dhe miqësi reciproke. Shpresojmë që të vazhdojmë punën për të avancuar në një rrugë konstruktive dhe të gjejmë një zgjidhje adekuate për këtë çështje. Përpjekjet për t’i mohuar Turqisë avionët luftarakë F-35 do të reduktonin gjithashtu seriozisht aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s. Siguria e avionit F-35 dhe programit të tij ka rëndësi shumë të madhe sa për SHBA-në partnere strategjike, aq edhe për Turqinë. Propozimi ynë për ngritjen e një grupi pune me pjesëmarrje edhe nga NATO-ja, për të trajtuar shqetësimet e SHBA-së, është ende i vlefshëm gjithashtu”, përfundoi ministri Akar./ trt

OPINIONE