Shqiperia

AKEP propozon rregulla të reja për tregun celular

Pas daljes nga tregu të operatorit “Plus Communication”, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur të ndërhyjë me masa të reja rregullatore në tregun e telefonisë celulare, me qëllim shmangien e dominimit të mëtejshëm të tregut nga dy operatorët më të mëdhenj dhe në veçanti nga “Vodafone Albania”.

AKEP ka hedhur për konsultim publik propozimet për të ndryshuar tarifat me shumicë, ato që operatorët i paguajnë njëri tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive. Aktualisht, tarifa e terminimit në rrjetet celulare është 1.48 lekë për minutë, për të tre operatorët. Në dokumentin e nxjerrë për konsultim publik, AKEP propozon një diferencim të këtyre tarifave.

Në një fazë të parë, nga mesi i këtij viti, kjo tarifë do të ulet në 1.22 lekë për “Vodafone Albania” dhe do të rritet në 2.66 lekë për operatorin “Albtelecom”. Që nga vitit 2019, kjo tarifë do të ulet në 1.11 lekë për “Vodafone” dhe “Telekom Albania”, ndërsa për “Albtelecom” ulja në këtë vlera do të ndodhë gradualisht deri në nëntor të vitit 2020.

Zakonisht, asimetria e tarifave përdoret për hyrësit e rinj në treg, që, për një periudhë të caktuar kohore përfitojnë avantazh në tarifat e terminimit, për të kompensuar dizavantazhin për hyrjen më të vonë në treg. Lejimi i një asimetrie të tillë për një operator me rreth 10 vjet në treg, si “Eagle Mobile”, do të ishte një masë e pazakontë, shkruan scan.tv..

Megjithatë, duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhet tregu, pas daljes nga tregu të operatorit “Plus”, AKEP gjykon se kjo mund të jetë një masë e domosdoshme për të garantuar ruajtjen dhe vazhdimësinë e konkurrencës në treg.