Shqiperia

Aksidenti i deputetit :Dy versionet e fajit

Ndërsa sot 53 vjecari i aksidentuar në segmentin Tiranë – Vorë, Sait Sorra do të shkojë në banesën e fundit dhe ndërsa deputeti që e përplasi aqif Rakipi është liruar nga qelia, versionet për atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës janë tejet kontradiktore. Një version i grupit hetimor që ka folur në mënyrë anonime për televizionin pro qeveritar Top Channel bëri me dije se aksidenti është shkaktuar për faj të të vdekurit. “Burime pranë grupit hetimor janë shprehur për Top Channel se deputeti Rakipi nuk rezultoi të kishte konsumuar pije alkoolike, ndërsa dyshohet se mund të kishte një shpejtësi tej normave të lejuara të atë segment rrugor. Ndërkohë, ekspertiza ka nxjerrë fajtor viktimën në aksidentin ku u përfshi deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi” thuhej në lajmin e TCH. Po sipas të njëjtit burim deputeti që PD nxitoi ta etiketojë si “mik të Edi Ramës”, do të hetohet në gjendje të lirë për akuzat “largim nga vendi i aksidentit” dhe “shkelje të rregullave të
qarkullimit”. Por me këtë version të servirur nga grupi hetimor nuk bien aspak dakord të afërmit e viktimës që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.
Ata, që punonin bashkë me të në tregun agroushqimor ndanë autostradës kanë rrëfyer versionin e tyre të ngjarjes për “Panorama”:“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.
Megjithëse pak të rezervuar, sikur kanë droje të flasin për njeriun me pushtet, versionin e tyre e kanë dhënë edhe familjarët e viktimës.
“Po presim çfarë do të vendosë Policia e Prokuroria. Pastaj do të flasim. Por është pa logjikë që të lihet i lirë një njeri që i mori jetën një tjetri. Ai vrau një njeri, nuk ishte kafshë. Pse është deputet, dënimin duhet ta marrë si gjithë njerëzit e tjerë”, ka thënë vëllai i
viktimës.
Pra dy versionet po bëhen gjithnjë e më kontradiktore. Nga njëra anë është grupi hetimor që bën fajtor atë që nuk është më në këtë botë. Ky verson është mbështetur fort edhe nga mediat pro qeveritare. Dhe nga ana tjetër janë familjarët e të vrarit, dëshmitarë okularë, që tregojnë me gisht deputetin. Këtyre u është shtuar edhe qëndrimi i opozitës e cila ka bërë sot një deklaratë të dytë me tone të forta njësoj si e para.
“Cfare po fshihte deputeti mik i Rames? A ishte ai ne gjendje te intoksikuar nga alkoli apo substanca te tjera? Cfare kishte ne makine miku i Rames, i cili nuk donte qe policia ta gjente makinen ne vendngjarje e ta kontrollonte. Dhe me e pakta, pse nje i zgjedhur, nje deputet, nuk kujdeset per viktimen nuk i ofron ndihmen e pare por iken me shpejtesi pa u ndalur menjehere pasi ka perplasur per vdekje nje njeri”? PD-ja e ka quajtur skandaloz dhe revoltues nxitimin e organeve ligjzbatuese per te shpallur fajtor viktimen e per te nxjerre viktime fajtorin vetem pse eshte mik i Edi Rames.

OPINIONE