Amerikanët lajnë duart nga ARMO: I kemi shitur aksionet. Përgjegjësi për krizën është Beso

Aksionerët e huaj të kompanisë offshore IRTC, e cila që prej shtatorit të kaluar ka në në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s, kanë njoftuar zyrtarisht se kanë shitur aksioneve tek investitorët vendas shqiptare. Ata lënë të kuptohet se kanë qenë të detyruar të shesin kuotat e tyre, ndërkohë që ia lënë përgjegjësinë e krizës së krijuar palës shqiptare, pasi pohojnë se që prej majit nuk janë marrë me administrimin e kompanisë IRTC.
“Harry Sargeant dhe z. Abu Naba’a, pronarë të GOMG Holdings Ltd, kanë kënaqësinë të shpallin marrëveshjen përfundimtare të shitjes së interesit të tyre minoritar në kompaninë IRTC në Ballsh në Shqipëri për partnerët e tyre vendas shqiptarë, duke finalizuar një proces të filluar para qershorit të vitit 2017. Me pronarët e mëparshëm, rafineria ishte e falimentuar dhe z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a ishin aktivë për rifillimin e aktivitetit të rafinerisë Ballsh dhe bënë të mundur që 1200 punonjës shqiptarë të saj të kthehen në punë në nëntor 2016. Që nga maji i vitit 2017, me bashkëpunimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe Bankers Petroleum, z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a bënë të mundur që rafineria të operonte me kapacitet të plotë dhe praktikisht e gjithë nafta e prodhuar në Shqipëri po përpunohej në rafinerinë Ballsh. Që nga ajo kohë, dhe me nënshkrimin e marrëveshjes detyruese për të shitur interesat e tyre, z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a nuk kanë qenë të përfshirë në ndonjë vendim të menaxhimit të IRTC ose bordit dhe kontrolli i përditshëm ka qenë gjithmonë nga partnerët shqiptarë. Blerësi tani ka tërësisht pronësinë me kontrollin operativ të rafinerisë Ballsh. Z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a janë të shqetësuar pasi kanë dëgjuar lajmin për disa vështirësi aktuale në Ballsh, por ata nuk kanë pasur rol në menaxhim. Megjithatë, z. Sargeant dhe z. Abu Naba’a mbeten optimistë për potencialin e industrisë së hidrokarbureve shqiptare dhe do të vazhdojnë të kërkojnë mundësi në vend për të sjellë përvojën e tyre të konsiderueshme në shërbim të Shqipërisë”, përfundon njoftimi për shtyp.

Historia e IRTC
Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Kompania Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të kaluar filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Kjo u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet.
Prodhimi vendas zuri rreth 30% të tregut në vitin 2017, ndërsa prej tre javësh aktiviteti u ndërpre. Fillimisht kompania që ka marrë me qira ARMO-n, iRTC (IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY) ka anuluar aktivitetin me argumentin se do të zhvillohej remont në rafineri, por teksa kanë kaluar më shumë se tre javë dhe rroga e nëntorit nuk është dhënë, punonjësit janë informuar se aktiviteti ka pushuar. Punonjësit prej disa ditësh janë në protestë. Në takimin që patën me ministrin e financave dhe të industrisë, Ahmetaj dhe GJiknuri, gjatë ditës së djeshme, ata theksuan edhe njëherë faktin se rafineria është tanimë një ndërmarrje në pronësi e përgjegjësi private, e për pasojë është detyrim ligjor dhe kontraktual i punëdhënësit privat të respektojë të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi. Një vit më parë, Arben Ahmetaj, u shfaq në krah të Harry Sargeant ku deklaroi: “Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite. Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, investitorët dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”,
Aktualisht, teksa ARMO është zhytur në një krizë edhe më të thellë, administratori shqiptar i kompanisë IRTC, sipas burimeve zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit është Mitat Sulaj, i cili është vëllai i administratorit të lokalit Tajvan Besnik Sulaj. Në njoftimin e shitjes së aksioneve nuk përmendeshin emrat se cilët ishin blerësit shqiptarë dhe as qeveria shqiptare nuk ka bërë transparencë në këtë drejtim.
Për 11 muajt e vitit 2017, ARMO rezulton të ketë prodhuar 156 mijë ton naftë, por ka paguar vetëm akcizë prej 50 milionë euro, ndërsa rezulton debitor për taksat e tjera (TVSH, taksë qarkullimi dhe karboni) për rreth 60 milionë euro të tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne