Aktori Robert Ndrenika del kundër ndërtimit të teatrit me “Partneritet Publik-Privat”

Zbulohet e plotë fjala e aktorit  Robert Ndrenika mbajtur këtë të hënë në Kryeministri, aty ku u prezantua projekti i Teatrit të ri Kombëtar. Në fjalën e tij, e cila  nuk u transmetua direkt, aktori Robert Ndrenika u shpreh skeptik për projektin e paraqitur.

Sipas tij, qeveria do të duhet të heqë dorë nga skema e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, përmes nismës PPP (Partneriteti-Publik-Privat). Shembull ai mori Maqedoninë, që ka investuar 30 milionë euro për teatrin.

Sa i përket projektit të prezantuar, aktori tha se më parë do të donte ta shihte atë në maket, për të kuptuar skenën dhe xhepat e skenës, që janë të rëndësishme për aktorët. Për Ndrenikën, projekti është i bukur si kartolinë, por  i ngjan një xhungle urbane.

“Kjo që pashë, më tepër m’u duk si kartolinë. Unë do të doja ta shihja edhe maket, ta dija si është skena, ato xhepat e skenave. Gjërat që duhet të dimë dhe na interesojnë ne artistëve. Por kryesorja është se mua më shqetëson shumë ai partneriteti me privatin. Unë jam i bindur se shteti nuk e ka problem të ndërtojë një Teatër Kombëtar. Dhe këtë nuk ma heq njeri nga mendja. Shembull kam. Shteti fqinj Maqedonia, që nuk po e respekton Marrëveshjen e Ohrit, që nuk po i respekton shqiptarët, ama po ju ndërton atyre një teatër. Po e bën vetë, pa partneritet publik privat.

Prandaj do ju lutesha shumë Kryeministrit, zonjës Ministre që të heqin dorë nga partneriteti privat dhe të gjejnë fonde. Kjo mund të bëhet. Sepse kjo që është këtu, ishte një dyndje, një xhungël urbane. Ajo u duk e bukur se duket si kartolinë, por do të shihni se çdo të bëhet. Pra unë jam i mendimit, që të shtyhet edhe ca kohë nëse duhet. Por ama shteti të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar” – theksoi në fjalën e tij Robert Ndrenika.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne