Akuzat e komandantëve zbardhin anën e errët të UÇK-së

LUFTA PËR LIRI, APO LUFTA PËR PUSHTET DHE PARA

Ajeti: Kontribuuesit më të mëdhenj që e futën UÇK-në nën sqetull janë Nait Hasani e Rexhep Selimi me disa djem të tjerë

“Ishin vetëm ca (pseudo)komandantë, si Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe ca paramilitarë të tyre mercenarë, të sojit të Sabit Gecit, që komandonin komplotet kundër UÇK-së nga Tirana. Në 15 katësh (hotel “Tirana”) ka qëndruar më se shpeshti “komandant” Xhavit Haliti. Ndërsa “komandant” Azem Syla dhe “komandant” Hashim Thaçi rrinin kryesisht në kafehane ordinere, sa më larg syve të njerëzve. Ndaj nuk më besohet se do të zbardhen ndonjëherë përmasat e abuzimeve të mjeteve financiare të fondeve”, tha Ibrahim Kelmendi për “Kosova Sot”

Në seancën e fundit të Kuvendit, për Demarkacionin me Malin e Zi, pati akuza dhe kundërakuza në mes të ish-pjesëtarëve të gueriljes shqiptare të UÇK-së. Deputeti Rexhep Selimi nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj se vetëm për disa ditë sa ishte në pushtet ka shitur tokë të Kosovës. Ndërkaq Haradinaj po në këtë seancë shpërtheu me kundërakuza, duke e quajtur gënjeshtar deputetin Rexhep Selimi, si dhe ia ka përmendur faktin se me gjithë aktivitetin e tij për liri dhe pas luftës në politikë asnjëherë nuk e ka gjetur asgjë. “Rexha është shumë i mençur. Prej që ia ka nis lëvizjes për liri, është aktiv po therrë nuk i ka hy, njëmend nuk i ka hy therrë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vetë, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodh…, por prit veç pak, ti po thua që unë për pak ditë pushtet e kam shit tokën, e po, ti je rrenc i madh, ti ke qëndruar në Shqipëri, je shëtit para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës, gjithë kohës, e di që nuk është ashtu, por je ul afër këtij burri për vota, ky ka me pa që ke me lanë edhe këtë shumë shpejt”, i tha Haradinaj deputetit Rexhep Selimi. Ndërkaq Selimi ka reaguar përmes mediave se ai nuk ka qëndruar asnjëherë në hotelin 15 katësh në Tiranë dhe se atje Haradinaj ka mundur ta takojë Azem Sylën e Hashim Thaçin, por jo edhe Rexhep Selimin. Analistët thonë se përmes këtyre akuzave po zbardhet dalëngadalë vetëm një pjesë e prapaskenës së luftës, ku po rezulton se një pjesë e madhe e “komandantëve të luftës” ka bërë biznese në hotelet e Shqipërisë, duke abuzuar me paratë e fondit “Vendlindja Thërret”, por edhe të fondit të “3 Përqindëshit”.

Haziri: Ata që kanë luftuar për liri dhe pavarësi dhe gjithnjë për një idealizëm kombëtar, ata janë flijuar fizikisht

Ndërsa analisti Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se ajo fjala e urtë popullore “mos e vet se tregon vet” mjaft është duke gjetur hapësirë në skenën tonë politike. “Ata që kanë luftuar për liri dhe pavarësi dhe gjithnjë për një idealizëm kombëtar, ata janë flijuar fizikisht, e ata që e kanë pasur qëllime fitimprurëse, po vazhdojnë jetën e fuqishme politike dhe ekonomike. Këtu do të duhej prokuroria dhe gjyqësia t’i hetonin këto pretendime të funksionarëve, në mënyrë që e kaluara e dyshimtë që sot po përdoret për mburrje njëherë e përgjithmonë të zbardhet”, vlerësoi ai.

AJETI:UCK-NË E FUTËN NËN SQETULL 15 NJERËZIT E 15 KATSHEVE

Ish-guerilasi dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të komandantit legjendar,Zahir Pajaziti,luftëtari i lirisë,Avni Ajeti, për gazetën “Kosova Sot” tha se është për keqardhje jo vetëm ky dialog në mes këtyre dy njerëzve,por ka shumë raste që në foltoren e Kuvendit bëhet dialog ndoshta edhe më banal. “Ndërsa kjo e fundit që ndodhi,në mes të kryeministrit dhe deputetit Rexhep Selimi,mendoj se nuk i kishte bërë nder në asnjë mënyrë në veçanti kryeministrit të vendit,Haradinaj,ngase deputeti ka të drejtë ta shprehë shqetësimin për çfarëdo teme,e sidomos ajo tema e demarkimit të kufirit me Malin e Zi,edhe pse shanset janë të vogla për diçka të mirë rreth asaj toke”,u shpreh ai.Sipas tij,ka qenë kryeministri i vendit ai që ishte në siklet.”Një sjellje e tillë ishte më shumë një emocion i Ramushit se ky e ka marrë këtë detyre edhe është punëtorë dhe do të bëjë mirë në këtë vend.Por duhet që ta kuptojmë se Ramushin e neglizhojnë nuk ka pasur nevojë të jetë fare në këtë koalicion bashkë me ata që kanë qëndruar në 15 katshet e Kosovës”,theksoi Ajeti.”Edhe deputeti Rexhep Selimi nuk ka përse tash të sulet e t’i japë kaq zor kundër këtyre njerëzve të 15 katshes,sepse e kam thënë shumë herët se kontribuuesit më të mëdhenj që e futën UÇK-në nën sqetull janë Nait Hasani e Rexhep Selimi me disa djem të tjerë,sepse në ato vite,1995-1996,ka pas zëra që UÇK-ja të jetë pak më ndryshe,jo krejt e këtyre 15 njerëzve të 15 katsheve”,potencoi ai.

Kelmendi: Haliti e Syla bënë pasuri të madhe

Ndërsa eksperti dhe juristi Muhamet Kelmendi, për “Kosova Sot”, tha se nuk është vështirë që të dihet kush ka qëndruar në 15 katshe në Tiranë. “Më vjen keq pse m’u midis z. Ramush Haradinaj dhe Rexhep Selimit ishte ky shpërthim dhe këto thënie. Që të dytë kanë marrë pjesë në luftë. Ishin shumë aktivë dhe veprimtarë të dalluar të çështjes. Natyrisht se lufta çlirimtare në Dukagjin pa komandantin Ramush Haradinaj nuk mund të mendohet. Ishte udhëheqës dhe i qëndroi besnik luftës deri në fund. Nga familja e z. Haradinaj kemi edhe heronj dhe shumë dëshmitarë, për të cilët unë kam konsiderata të mëdha. Në anën tjetër e kemi Rexhep Selimin. I takon plejadës së vjetër të ushtarëve të UÇK-së. Mori pjesë aktive në luftë dhe i qëndroi besnik çështjes deri në fund”, u shpreh ai. “Në 15 katshen në Tiranë, jo vetëm aty, po edhe në hotele të tjera, duke kaluar jetë luksoze, ishte dhe ka jetuar Xhavit Haliti.

Ky shquhet si person që tërë veprimtarinë e vet e ka bërë në Tiranë. Aty e gjente Xhavitin njeriu para dhe gjatë e deri në përfundim të luftës. Ky njeri kurrë nuk ka punuar. Ka jetuar në Tiranë, kryesisht nga viti 1993/94, nga paratë e fondit ‘Vendlindja Thërret’ dhe me ato para sot e kemi një ndër njerëzit më të pasur në hapësirën e Kosovës”, potencoi Kelmendi. Sipas tij, Haliti vetëm tokë në komunën e Istogut i ka mbi 2- 3 hektarë. “Ka shtëpi dhe banesa, në Shqipëri dhe në Kosovë. Mjaftojnë këto të dhëna, sikundër flitet në popull, që të akuzohet për vjedhje të parasë së popullit”, tha ai.”Një tjetër person që ka jetuar në Tiranë dhe kurrë në luftë nuk ka hyrë është Azem Syla. Ish-gjoja komandanti dhe ministri i Mbrojtjes. Kemi një njeri të tillë që duke kryer detyrat e Xhavit Halitit e bën UÇK-në krejtësisht jofunksionale në kuptimin e komandimit dhe të disiplinës. Ishin kryesisht këta dy njerëz që e dëmtuan shumë luftën çlirimtare.

Natyrisht se në Tiranë e gjente njeriu edhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin, ndërsa më vonë edhe Jakup Krasniqin, si dhe tërë strukturën e ish-FARK-t, me Ahmet Krasniqin e Bujar Bukoshin, dhe financierin Isa Mustafa”, vijoi më tej Kelmendi. “Këta ishin nëpër Tiranë dhe nëpër botë. Kurrë këta nuk u futën në luftë, me përjashtim të Jakup Krasniqit, i cili ishte aktiv në luftën çlirimtare të UÇK-së. Që të arrihej kjo gjendje, që UÇK-ja të udhëhiqet nga hotel “Rogner”, ku ishin Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, me grupet e veta, që sot janë në shërbim të tyre, në vitin 1998, në mbledhjen e 6-të të përgjithshme të LPK-së, këta bënë grusht dhe arritën të shkatërrojnë udhëheqjen e këtyre dy subjekteve, duke dalë vetë në ballë, prej nga e dëmtuan ashpër luftën e drejtë dhe natyrisht se keqpërdorën mjetet e Fondit”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

Gazetari ka provuar të kontaktojë të gjithë të apostrofuarit e bashkëbiseduesve në shkrim, mirëpo ata nuk janë përgjigjur. Sidoqoftë, gazeta mbetet e hapur dhe mirëpret edhe versionin e të gjithë të apostrofuarve në shkrim

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne