Al-Bagdadi, gjallë apo vdekur?

Është gjallë apo ka vdekur? Militantët e Shtetit Islamik kanë publikuar një regjistrim audio të liderit të tyre, Abu Baker al-Bagdadi, i deklaruar disa herë i vdekur e në muajin qershor kjo u pohua me të madhe nga zyrtarët rusë, ndërsa ata amerikanë u treguan skeptikë.

Zëri në regjistrim tingëllon shumë si ai i udhëheqësit të Shtetit Islamik, i cili i referohet në fjalën e vet edhe kërcënimeve të fundit koreanoveriore ndaj Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa përmend edhe betejat për fortesa të ISIS-it si Mosuli, i rimarrë nga ushtria irakiane në muajin korrik. Për ndjekësit e grupit ekstremist, ka si gjithmonë dhe një thirrje.

“Ushtarë të Kalifatit dhe heronj të Islamit, mbajtës të flamurit dhe kalorës të fushave, nxisni flakët e luftës kundër armiqve tanë, drejtojuani atyre dhe rrethojini pa rrugë shpëtimi. Jini të qëndrueshëm sepse Zoti do t’iu japë fitoren nëse tregoni durim. Të krishterët dhe kurdët e pafe janë shumë të përçmuar për të qëndruar përballë jush nëse forca e tyre kryqtare ajrore do të mungonte qoftë edhe një orë”, dëgjohet të thotë zëri.

Bagdadi, mbi kokën e të cilit Uashingtoni ka vënë një shpërblim prej 25milionë dollarësh, nuk është parë më në publik që prej korrikut 2014, duke bërë që spekullime të shumta të rrethojnë përgjatë gjithë kësaj periudhe fatin e tij. Shfaqja e fundit e tij ishte gjatë predikimit në xhaminë e madhe al-Nuri në Mosul, pasi ISIS-i pushtoi qytetin e dytë më të madh të Irakut dhe u bë shpallja e Kalifatit.

I pyetur mbi regjistrimin e fundit audio, zëdhënësi i forcave amerikane që luftojnë Shtetin Islamik, Ryan Dillon, u shpreh se pa një provë të besueshme të vdekjes së Al-Bagdadit, “duhet të prezumojmë në vazhdimësi se ai është gjallë”.

/ Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne