Al-Sisi kthehet nga Uashingtoni si njeriu i parë i Amerikës në rajon

Ai do të udhëheqë një aleancë sunite kundër Iranit… Arabia Saudite përsëri në sediljet e pasme… Rol udhëheqës egjiptian në Jemen, Libi e Siri… “Vëllazëria Myslimane”, viktima më e spikatur

Abdul Bari Atuan

Asnjë lider arab nuk ka patur fatin të marrë lajka dhe lëvdata nga banori i Shtëpisë së Bardhë si presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Camp David-it në vitin 1978 nga ana e presidentit Mohamed Anwar al-Sadat. Presidenti Donald Trump tha në mënyrë të qartë e të qëllimshme: “Ne qëndrojmë në mënyrë të vendosur prapa presidentit al-Sisi… Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në një pozitë tepër të vështirë… Ne qëndrojmë me forcë prapa Egjiptit dhe popullit të Egjiptit”, duke shtuar: “I them zotit president që Shtetet e Bashkuara i keni mik dhe aleat të fortë… edhe mua gjithashtu”.

Kjo lëvdatë dhe lajkë nënkupton disa çështje, më e spikatura mes të cilave është se presidenti i ri amerikan dëshiron të kurorëzojë mikun e tij egjiptian aleat kryesor në Lindjen e Mesme, në mënyrë që ai dhe vendi i tij të jenë boshti i mbështetjes së politikës së re të jashtme amerikane në rajon në mënyrë paralele me përpjekjet e Rusisë për të hartuar një hartë të re të rajonit, boshti i së cilës është Irani.

Presidenti Trump e vuri theksin në aktivizimin e partneritetit strategjik mes Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe bashkëpunimit ushtarak. Dhe kjo gjë pritet nga një president që i jep prioritet çrrënjosjes së terrorizmit, edhe nëse ajo ndodh në kurriz të të drejtave të njeriut.

***

Presidenti al-Sisi do të kthehet në Kajro pasi të jetë bërë një përfaqësues i lartë i Shteteve të Bashkuara në rajon, fitues i besimit e i mbështetjes së tyre njëkohësisht. Që do të thotë, se ai do të jetë maja e shtizës së të gjitha luftërave të ardhshme politike apo ushtarake të tyre dhe udhëheqësi i kurorëzuar i aleancës sunite, të cilën Shtetet e Bashkuara përpiqen ta formojnë në përballje me Iranin.

Ky është fillimi i një faze dhe fundi i një tjetre. Ditët e ardhshme do të dëshmojnë një aleancë izraelito-arabe kundër Islamit politik – me të dy krahët e tij: “i moderuar” apo “ekstremist”, sunit apo shiit -, nëpërkëmbjen e konstanteve arabe në Palestinë, ringjalljen formale të një procesi të kalbur paqësor dhe rikthimin e disa negociatave shterpë mes Autoritetit Palestinez dhe presidentit të saj në njërën anë dhe regjimit okupator izraelit në anën tjetër.

Mbretëria e Arabisë Saudite, e cila ëndërronte të ulej përpara në kolltukun e udhëheqjes së rajonit me bekimin e presidentit të ri të SHBA, është kthyer në ulëset e pasme dhe është detyruar të pranojë udhëheqësinë e re egjiptiane, të pajtohet me të dhe të bashkëjetojë me ngritjen e saj të shpejtë. Prandaj, kur presidenti al-Sisi të vizitojë Riadin me ftesë të monarkut saudit, e cila erdhi si kurorëzim i pajtimit “të përgatitur” mes dy burrave në margjinat e samitit të vendeve arabe në Amman, ai do ta vizitojë atë nga pozita e të fortit dhe jo nga pozita e të dobëtit a vartësit që është në kërkim të ndihmave financiare. Arabia Saudite nuk i posedon më miliardat e tepërta. Edhe nëse i posedon, ato do t’i shkojnë Trumpit si një përpjekje për të fituar pëlqimin e tij, për të absorbuar zemërimin e tij dhe për t’iu përgjigjur mënyrës së tij kërcënuese, në mënyrë që të jenë të sigurt.

Marrëveshja Trump-Sisi për aktivizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, do të reflektohet në formën e një roli egjiptian në përballje me lëvizjen “Vëllazëria Myslimane” dhe degët e saj në Libi e Jemen, në përfshirjen reale në një luftë të ashpër kundër organizatave “Al-Qaeda” dhe ISIS, si dhe gjithashtu në luftën kundër ekspansionit iranian në Irak, Siri e Jemen.

***

Presidenti al-Sisi “vuri bast” për Trumpin – madje para se ai të fitonte zgjedhjet presidenciale, kur u takua me të në shtatorin e vitit të kaluar në margjinat e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme, jo ngaqë e donte atë, por ngaqë urrente paraardhësin e tij, Barack Obama, i cili refuzoi ftesën e tij dhe ngriu ndihmat financiare amerikane për Egjiptin për më shumë se dy vjet për shkak të kundërshtimit që bëri ndaj përmbysjes së një presidenti të zgjedhur me anë të një grusht-shteti ushtarak – dhe për fatin e tij të mirë, presidenti al-Sisi e fitoi bastin dhe u bë një mik i sinqertë i presidentit të ri amerikan. Ai, pra presidenti al-Sisi, e përforcoi këtë miqësi kur nuk hezitoi as një moment për tërheqjen e një projekt-rezolute – të cilën Egjipti do t’ia paraqiste Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar kolonizimin izraelit dhe për ta ndaluar atë menjëherë – sapo mori një telefonatë nga presidenti Trump, madje para se ky i fundit të merrte në dorëzim detyrën e tij si president. Me anë të këtij hapi, presidenti al-Sisi, me një gur arriti dy pëlqime: pëlqimin amerikan dhe atë izraelit.

Periudha e ardhshme do të jetë periudha e polarizimit sektar, rajonal e etnik dhe ndoshta mund të precipitojë në luftëra shkatërruese dhe shfaqjen e disa shteteve të reja, si dhe riformulimin e hartës së rajonit. Roli i “Egjiptit të al-Sisit” do të jetë aksial në të, veçanërisht në përballje me Iranin dhe në koordinim me “aleatin” Izrael… Por, si do të jenë rezultatet dhe kush do të jetë fituesi apo humbësi, kjo ka nevojë për një pritje shumë të gjatë… Koha është ajo që do na tregojë.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 4 prill 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne