Al Thani: Qëndrimi i Katarit ishte i qartë nga dita e parë

Ministri i Jashtëm i Katarit Shejh Muhamed bin Abdurrahman el-Thani, në një deklaratë për Al Jazeera ka theksuar se vendi i tij që nga fillimi i krizës së Gjirit kishte një qëndrim të qartë që i referohej zgjidhjes diplomatike me respektim të plotë të sovranitetit të vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qëndrimi i Katarit ishte i qartë nga dita e parë, dhe kjo është zgjidhje diplomatike duke përmbushur detyrimet nga të gjitha palët dhe me respektimin e plotë të sovranitetit të Katarit”, tha kreu i diplomacisë së Katarit.

Duke ritheksuar se përfaqësuesit e vendeve të cilat po mbajnë nën izolim Katarin kanë deklaruar se janë të gatshëm për dialog me kushte të caktuara, Al Thani tha se “në përgjithësi nuk ka nevojë për dialog në qoftë se paraprakisht janë vendosur kushte, sepse një gjë e tillë nuk mund të japë rezultate”.

“Vendet të cilat e mbajnë nën izolim Katarin pas dy muajsh filluan të kuptojnë se çfarë ndikimi ka mbi qytetarët. Njerëzve u është mohuar qasja në asetet e tyre në Gji. Biznesmenët duke kërkuar mënyra alternative për të shitur produktet e tyre kanë pësuar humbje të mëdha. Nëse shteti nuk do të ndihmonte biznesmenët, qytetarët, dëmet do të ishin shumë më të mëdha”, shpjegoi ai.

Kriza mes Katarit dhe disa vendeve arabe filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me këtë vend.

Katër vendet Dohas i parashtruan një listë me kërkesa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Katari ka thënë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne