Alarm në Amazon/ Mushkritë e botës po digjen, çdo minutë shkrumbohen pyje sa pesë fusha futbolli

Një numër rekord zjarresh kanë pushtuar prej disa javësh pjesën braziliane të Amazonës, pyjet tropikale më të mëdha të globit, të cilat shkencëtarët i konsiderojnë jashtëzakonisht të rëndësishme për të luftuar ngrohjen globale.

Mijëra pyje po digjen dhe po formojnë re tymi në sasi alarmante të dioksidit të karbonit, në atmosferën e tokës.

Sipas disa përllogaritjeve paraprake nga të dhënat satelitore, çdo një minutë, po digjet një sipërfaqje pyjore prej pesë fushash futbolli. Në ditën me djegiet më të këqija gjatë këtij muaji, pati një rritje 700% të sipërfaqjes së djegur, krahasur me zjarret në 15 vitet e fundit. Shkencëtarët thonë se ky mund të jetë viti kur Amazona të humbasë rreth 10 mijë kilometra katrorë sipërfaqje pyjore.

Flakët janë dyfishuar këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2018, duke sjellë reagime të shumta në mbarë botën.

Aktivistët e mjedisit bëjnë me faj Presidentin aktual të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili ka reduktuar politikat për mbrojtjen e mjedisit.

Jemi në një situatë të cilën e konsideroj një krim ndaj vendit, një krim ndaj njerëzimit“, shprehet ish senatorja braziliane, Silva.

Përgjatë historisë së Brazilit, kemi patur situata të vështira, por kjo është hera e parë, që kemi një situatë e cila praktikisht është nxitur nga qeveria“, shtoi ajo.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti francez, Emanuel Macron, i cili reagoi në rrjetet sociale, lidhur me këtë masakër mjedisore me përmasa globale.

Shtëpia jonë po digjet. Me plotë kuptimin e fjalës. Pyjet e Amazonës – mushkritë që prodhojnë 20% të oksigjenit në planetin tonë janë duke u djegur“, shkruante Macron i alarmuar.

Por, presidenti brazilian Bolsonaro, një populist i zgjedhur rishtazi në krye të vendit, iu përgjigj menjëherë Macron, duke e quajtur këtë ngjarje alarmante, “një çështje të brendshme të Brazilit”.

Më vjen keq që Macron kërkon të marrë përfitime personale politike nga një çështje e brendshme e Brazilit dhe vendeve të Amazonës. Toni sensacional që ai përdor nuk ndihmon për të zgjidhur problemin“, shkruante Bolsonaro./TPZ

Save

Share

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne