Alarm në burgjet e sigurisë së lartë, filmohen me dron nga grupet kriminale

Në kohën kur ende nuk është hedhur dritë mbi aktin e rëndë të ekzekutimit të një të dënuari rreth 9 muaj më parë në burgun e Peqinit, një dron fluturon mbi burgun e Burrelit, duke vënë në alarm sistemin e sigurisë.

Mjeti filmues është konstatuar nga policia ndërsa reagimi i Drejtorisë së Burgjeve hedh dritë mbi një tentativë të vazhdueshme të grupeve kriminale në vend për të marrë pamje nga burgjet e Sigurisë së Lartë.

Në reagimin e kësaj drejtorie shihet qartë se ky nuk është rasti i parë, ndërkohë që ka dyshime që droni të jetë ngritur për të pikasur mundësi për futje armësh apo sendesh të tjera në ambientet e këtyre burgjeve. Policia dhe ekipi i sigurisë tregojnë se droni nuk ka pasur asnjë send të paligjshëm, ndaj edhe është hedhur ideja se mjeti ishte përdorur për të kryer filmime. Hetimet, sipas të dhënave, do të përfshijnë disa persona që vuajnë dënimin në atë burg, nga ku pritet të nxirren edhe konkluzionet që kanë të bëjnë me qëllimin e përdorimit të mjetit.

RASTI DHE REAGIMI I “BURGJEVE”

Drejtoria e Burgjeve, në bazë të informacioneve thotë se kemi të bëjmë me një grup kriminal, i cili ka tentuar të fusë sende të paligjshme në burgun e Burrelit për të realizuar qëllimet e tyre kriminale. Droni është kapur dhe në të nuk janë gjetur sende të paligjshme, por policia thotë se ka një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të Sigurisë së Lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.

“Sistemi i burgjeve shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese ka treguar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e tij të plotë në parandalimin e veprimtarive të paligjshme të grupeve të strukturuara kriminale. Përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale. Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel.

Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale. Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme”, – njofton Drejtoria e Burgjeve. Pajisja është çuar për ekspertim për shenjat e gishtave, me qëllim identifikimin e përdoruesve. Ka dyshime se droni është ngritur vetëm për të marrë pamje. “Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.

Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut. Sistemi i burgjeve shqiptare mbetet i vendosur në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së institucioneve të tij, duke përmirësuar vazhdimisht masat mbrojtëse dhe teknologjinë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm”, njofton Drejtoria e Burgjeve. /Panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress