“Albcontrol” del jashtë kontrollit, gjysmë milioni euro për t’ju mësuar anglisht 10 punonjësve

Shqipëria është me të vërtetë një vend i çuditshëm dhe përbëhet nga njerëz me ide “brilante” për të vjedhur paratë e shtetit, sa herë që i jepet mundësia.

I merr paratë pikërisht aty ku nuk ia merr mendja njeriu, por që realizohen sipas një skeme të qartë dhe që pasohet më tej, pavarësisht se ndryshohen drejtuesit.

Rasti më konkret është “Albcontrol”, kompania shtetërore që menaxhon e kontrollon hapësirën ajrore të Shqipërisë, e cila ka akorduar një fond prej 500 mijë eurosh për t’u mësuar gjuhën angleze disa pjesëtarëve të stafit dhe për t’i trajnuar.

Pavarësisht se në kriteret e vëna nga ana e kësaj kompanie për të rekrutuar punonjës, kanë një pikë të veçantë që kërkon me patjetër të ketë gjuhën angleze, kjo nuk e ka penguar “Albcontrol” që të tenderojë pikërisht këtë shërbim, me objekt trajnimin e punonjësve në gjuhën angleze.

Megjithëse është një tender i pazakontë për mësimin e gjuhës angleze, një shërbim që duhej të quhej i kryer nga vetë punëmarrësi, si kriter për punësim, edhe fondi i akorduar është i tejfryrë.

Në dokumentin zyrtar të dorëzuar te Agjencia e Prokurimit Publik, nënvizohet qartë se për këtë kurs anglishtje do të shpenzohen plot 45.833.333 lekë të rinj pa TVSH. Me gjithë TVSH, shuma shkon rreth gjysëm milioni euro.

Mësohet se kjo shumë do paguhet vetëm për 3 muaj, tetor-dhjetor, ndërsa në dokumente thuhet se “Albcontrol” kërkon kryerjen e “kursit të gjuhës angleze të aviacionit për Kandidatet për Kontrollorë të Trafikut Ajror”. Kursi do kryhet jo më pak se 8 javë dhe jo më shumë se 12 javë.

Skandaloz është fakti se pjesëmarrës në këtë kurs anglishtje do të jenë vetëm 10 kandidatë, ndërsa gjysmë milioni euro do të shkojnë pikërisht për 10 punonjës të “Albcontrol”.

Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, kompania “Albcontrol” do të shpenzojë plot 50 mijë euro vetëm për t’i mësuar anglisht një punonjësi, një shpenzim luksi për buxhetin, i cili fare mirë mund të shkonte si fond për të varfërit.

Në dokumente thuhet se objektivat e këtij kursi do të jenë që në përfundim, studenti të jetë i aftë të përdorë metoda të ndryshme të ndarjes proceduriale për trafikun në ngritje dhe ulje, të marrë, interpretojë, shpërndaje informacionin meteorologjik, të menaxhojë stresin nën trafik të rënduar dhe kompleks dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Pavarësisht se tenderimi bëhet për gjuhën angleze.

“10 kandidatët KTA duhet ti nënshtrohen testimit për nivelin e aftësive gjuhësore. Pjesëmarrësit duhet të pajisen me certifikatë aftësie që vërteton zotërimin e gjuhës angleze në nivelin e aftësisë”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Por kostot e këtij trajnimi janë shumë më të lira në vendet e Bashkimit Europian, ku Shqipëria aspiron të hyjë nga dera e pasme, pa realizuar asnjë nga kushtet e vëna.

Ndërsa “Albcontrol” paguan 50 mijë euro për trajnimin e një kandidati në gjuhën angleze, një student i BE, nuk paguan më shumë se 18 mijë euro për një periudhë 11-12 javore, për të njëjtin trajnim, që bëhet madje në Luksenburg.

Kjo tregon se abuzimi me këtë trajnim është gati trefish i shumës reale që duhet, duke treguar qartë se në Shqipëri, sa herë bien në lekët e shtetit, shqiptarët ia fusin “me top”

Por “Albcontrol” nuk e ka për herë të parë abuzimin me trajnimet në gjuhën angleze të punonjësve të saj, një maskarallëk i aplikuar dhe kur në krye të tij ishte Belinda Balluku, sot Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, që e ka nën “hyqëm” këtë institucion.

Institucioni i drejtuar në atë kohë nga Belinda Balluku, ka realizuar një tender prej 166 milionë lekësh, dhe ai për të mësuar gjuhën angleze për 40 punonjës. Ky është një skandal që kapërcen edhe kufijtë e imagjinatës, pasi punonjësit që rekrutohen tek “Albcontrol”, kanë paga tepër të majme dhe për rrjedhojë duhet të njohin në mënyrë të shkëlqyer gjuhën angleze.

Pra “rrugën” këtij maskarallëku i ka hapur pikërisht Belinda Balluku kur ishte në krye të “Albcontrol”, dhe po vijon me “bekimin” e saj dhe sot që ajo është ministre përgjegjëse për këtë institucion shtetëror, duke pasur ndoshta dhe pjesën e saj të përfitimit./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne