Shqiperia

Aleanca e fshehtë/ LSI i “dhuron” një votë tjetër Erion Veliajt

Kur sheh Monika Kryemadhin, që në nerva e sipër heq çizmet dhe ia lëshon Edi Ramës me sa fuqi ka, kupton se mes PS dhe LSI nuk flitet më për politikë, por për një urrejtje të verbër personale, nga e cila vështirë se ka kthim pas. Por mllefin e papërmbajtur që u pa në parlament, Monika Kryemadhi arrin ta mbajë nën kontroll kur vjen puna tek i zgjedhuri i socialistëve në Tiranë, Erjon Veliaj.

Urtë e butë, kryebashkiaku i Tiranës siguroi një votë tjetër nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë votimit të buxhetit për Tiranën. Pas Genta Mezinit, Agim Krajës dhe Naim Halilit, ishte radha e Bora Panajotit. Këshilltarja e LSI-së i dha mundësinë Veliajt të ketë plot 32 vota, ndërkohë që këshilltarët e tjerë të opozitës kishin bojkotuar. Me votën e LSI, Veliaj arriti të garantojë i sigurtë kuorumin dhe miratimin e buxhetit. Se ç’mënyrë përdor Veliaj për të vjelë vota nga LSI, nuk është e qartë, por vështirë të besohet se Panajoti u bind nga premtimet e të mirave që do të sjellë buxheti për qytetarët e Tiranës.

Gjasat janë që aleanca PS-LSI vazhdon me Erion Veliajn, edhe pse ai është zgjedhur nga koalicioni me partinë e Ilir Metës. Ajo që bie në sy është se për herë të tretë Veliajt i vijnë në ndihmë këshilltarët e LSI-së dhe këtë e bëjnë përmes “tradhtive”. Mund të ishte e papritur “tradhtia” e Genta Mezinit dhe Agim Krajës disa muaj më parë për rritjen e çmimit të ujit (Monika Kryemadhi tha se ishte me pushime në Jalë). Mund të ishte e papritur “tradhtia” e Naim Halilit, për investimin e 2.5 milion eurove të mbjelljes së pishave të buta. Por a mund të ishte e papritur edhe “tradhtia” e Bora Panajotit në votimin e buxhetit këtë të enjte?

Gjithsesi rastin e fundit, në selinë e LSI-së e kanë marrë me qetësi, njësoj siç i këshillonte dikur ish kryetari. Në zhurmën e fortë që shkakton përplasja me Ramën, flirti me Veliajn duket një lojë e vogël. Por mënyra sesi LSI ka zgjedhur të ndihmojë kryebashkiakun, me anë të tradhtive të vazhdueshme të këshilltarëve bashkiakë dëmton në radhë të parë lidershipin e Monika Kryemadhit. Sepse këshilltarët bashkiakë nuk janë si çizmet që i gjuajti Ramës. Ata kur i hedh njëherë, nuk vishen më.

Etiketa

OPINIONE