Alexander Novak: Gazi natyror amerikan, 40% më i shtrenjtë sesa ai rus

Çmimi i gazit natyror të lëngshëm (GNL) që prodhohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është me 30-40% më i shtrenjtë se gazi që përçohet përmes tubacionit rus, deklaroi ministri rus i Energjetikës, Alexander Novak.

I cituar nga agjencia ruse e lajmeve, “Tass”, Novak ka thënë së SHBA-ja aspiron që Evropa të blejë GNL-në amerikane, e cila është me 30-40% më e shtrenjtë sesa gazi rus.

Të premten, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha paraprakisht se sistemi i tyre i tubacionit i lidhur me konsumatorët evropianë nuk ka konkurrencë.

“Të gjitha sistemet tona të tubacioneve që janë të lidhura me konsumatorët kryesorë evropianë, nuk kanë konkurrentë, me përjashtim nëse Evropa dëshiron të blejë me një çmim të tepruar nga prodhues të tjerë”, tha Putin.

Rusia mbetet furnizuesi kryesor i Bashkimit Evropian duke mbuluar 43% të totalit të furnizuar, e ndjekur nga Norvegjia, e cila mbulon 34% të importeve evropiane të GNL-së.

Gazi amerikan shkon kryesisht në tregun aziatik, megjithatë në vitet e ardhshme pritet që SHBA-ja të bëhet njëri nga furnizuesit më të mëdhenj të Evropës me GNL. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne