Ballkan Post ka realizuar një intervistë me Dr. Olsi Jazexhi, një historian shqiptaro-kanadez, i cili është specializuar në historinë Islame, nacionalizmin dhe reformimin fetar në Evropën Juglindore. Ne diskutuam zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe praninë e MEK-ut në vend.
Më poshtë është intervista e plotë:
BP: I dashur Dr. Olsi Jazexhi. Më 30 qershor 2019 Shqipëria kishte zgjedhje bashkiake. Këto zgjedhje u bojkotuan nga opozita dhe presidenti. Partia Socialiste e Shqipërisë në pushtet garoi e vetme në këto zgjedhje dhe Shqipëria po ngjan më shumë si Koreja e Veriut sesa një demokraci evropiane. Çfarë po ndodh me Shqipërinë?
OJ: Përshëndetje lexues të Ballkanpost.
Situata politike e Shqipërisë është bërë shumë e frikshme në vitet e fundit. Partia Socialiste e Shqipërisë e cila drejtohet nga kryeministri Edi Rama, një mik i ngushtë i Toni Blairit, Nicolas Sarkozyt dhe George Sorosit po e shndërron Shqipërinë në një shtet njëpartiak si në kohën e Enver Hoxhës. Edi Rama, familja e të cilit i përkiste nomenklaturës komuniste e ka kthyer veten në një autokrat të ri të Shqipërisë. Për këtë ai ka mbështetjen e administratës së Trump dhe zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të cilëve nuk ju intereson ajo që ndodh në Shqipëri për sa kohë që qeveria Rama mirëpret Muxhahedinët (MEK-un) dhe organizata të tjera ekstremiste në vend.
Sidoqoftë, ndersa gjatë epokës së komunizmit, Shqipëria kishte një mirëqenie sociale dhe një shtet të pavarur, në ditët e sotme Partia Socialiste e Shqipërisë që drejton Edi Rama po e shndërron Shqipërinë në një shtet autoritar të frikshëm. Që nga ardhja e tij në pushtet në 2013 qeveria Rama ka shkatërruar shumë institucione të mirëqenies sociale të vendit, kujdesin shëndetësor, universitete, shkolla dhe institucione të tjera shtetërore. Ai ka shkurtuar mbështetjen sociale për nevojtarët dhe ka detyruar mijëra shqiptarë të paguajnë për kujdesin e tyre shëndetësor si kurrë më parë. Ai është duke privatizuar dhe shitur pasuri shtetërore dhe njerëzit po vuajnë si rezultat i sulmit të tij ndaj institucioneve themelore të mirëqenies së vendit. Plazhet dhe tokat më të mira të Shqipërisë u shiten oligarkëve dhe qeveria vjedh me forcë pronat private të shumë individëve.
Duke i dhënë fund subvencioneve shtetërore për të varfërit, burgosur shqiptarët që nuk mund të paguajnë faturën e energjisë elektrike, duke vjedhur tokat bujqësore dhe turistike për oligarkët, duke mos siguruar punë për punëtorët dhe taksuar ne mase bizneset dhe fermerët, shumë shqiptarë janë detyruar të largohen nga vendi dhe të gjejnë punë diku tjetër. Shumë të tjerë kanë përfunduar si shitës të drogës, pasi kjo është mënyra e vetme se si të varfërit mund të ushqejnë familjet e tyre në Shqipërinë e varfër. Qeveria shqiptare dhe mbështetësit e saj amerikanë nuk kujdesen për mirëqenien e shqiptarëve dhe situata ekonomike po bëhet e ngjashme me atë të shumë kombeve në Amerikën e Jugut.
Në anën tjeter, bandat kryesore të drogës dhe kriminelëve kanë dalë në krah të qeverisë Rama e cila i ka ndihmuar të privatizojnë dhe vjedhin pasuri të mëdha shtetërore për bizneset e tyre. Bashkia e Tiranës është institucioni më i rëndësishëm shtetëror, i cili akuzohet në media se ju del në mbrojtje këtyre bandave. Bashkia drejtohet nga Erion Veliaj, një ish-predikues ungjillor, ngritja në pushtet e të cilit erdhi falë mbështetjes së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Fondacionit Soros. Erion Veliaj po shkatërron hapësirat e gjelbërta të Tiranës duke ndërtuar kulla pafund në çdo park dhe kopesht që gjen. Shumë biznesmenë ankohen për nivelin e lartë të ryshfetit që njerëzit e tij marrin nga konstruktorët e tyre për dhënien e lejeve të ndërtimit. Megjithate, sistemi i drejtësisë i cili kontrollohet nga amerikanët dhe Partia Socialiste nuk bën asgjë kundër korrupsionit masiv dhe mashtrimit elektoral që socialistët bëjnë në vend.
BP: Cila është ideologjia e qeverisë së Edi Ramës? Ai pretendon të jetë një socialist, por ai është bere palë me mafien kapitaliste. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend me shumicë muslimane. A kanë muslimanët ndonjë gjë për të thënë me atë që ndodh në vend?
OJ: Edhe pse Edi Rama vjen nga një familje me origjine te krishterë ortodokse, Rama eshte konvertuar në katolik. Shumë prej ministrave të qeverisë, këshilltarëve dhe aparatit shtetëror janë ose katolikë fondamentalistë ose të krishterë ungjillorë. Muslimanët që janë shumica nuk kanë fuqi ne vend. Ata janë të diskriminuar nga qeveria Rama dhe amerikanët që monitorojnë nga afër komunitetin musliman dhe xhamitë në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që është “Kisha e Islamit” në vend është nën kontrollin e Rrjetit të Fethullah Gulen dhe shefave të tyre amerikanë.
Fuqia politike në Shqipëri është në dorë të grupeve kriminale dhe fondamentaliste. Ideologjia e qeverisë së Edi Ramës mund të përshkruhet si kapitalizëm i stilit amerikan i përziere me ideologjine ungjillore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velija dhe kreu i këshillit të bashkisë së Tiranës Toni Gogu janë të dy predikuesit protestantë, ashtu si ju keni Mike Pence në Shtetet e Bashkuara. Ata adhurojnë Izraelin dhe imperializmin amerikan.
Qeveria e Ramës akuzohet nga shumë media vendase dhe ndërkombëtare për korrupsion dhe skandale kriminale. Mediat kryesore të Evropës si gazeta Bild në Gjermani kanë publikuar shumë përgjime nga zyrat e prokurorëve shqiptarë, të cilat tregojnë sesi Partia Socialiste e Edi Ramës vjedh dhe shantazhon shqiptarët për të fituar zgjedhjet. Sidoqoftë, amerikanët që kanë marrë nën kontroll sistemin gjyqësor të Shqipërisë nuk “inkurajojnë ” prokurorët shqiptarë ta kthejnë Shqipërinë në normalitet me një demokraci funksionale dhe të vendosin një sistem të vërtetë demokratik në vend.
Ata pëlqejnë që Shqipëria të qëndrojë ashtu si është. Një shtet i korruptuar dhe mafioz i qeverisur nga një sundimtar autokrat, i cili është një aleat i bindur i Shteteve të Bashkuara. Shqipëria po kthehet në një Porto Riko ose Haiti të dytë.
BP: Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer ne nje qendër evropiane për promovimin e propagandës së MEK. Çfarë oer mendoni per këtë? Si i shihni marrëdhëniet midis MEK-ut dhe vendeve evropiane? Dhe pse Shqipëria zgjodhi të bëhej një vend që pret një organizatë të tillë terroriste?
OJ: Siç kam theksuar edhe më parë, Shqipëria është një vend i cili sipas presidentit tonë Ilir Meta drejtohet nga organizata të mëdha kriminale dhe ambasada të huaja.
Zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit 2019, të cilat u bojkotuan nga opozita dhe u shpallën jo të vlefshme nga presidenti, por u organizuan me forcë nga socialistët, u treguan të gjithë shqiptarëve se demokracia dhe shteti ligjor ka vdekur në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama është bërë si diktatori i Tunizisë, Ben Ali. Amerikanët dhe britanikët që qajnë për demokraci dhe të drejtat e njeriut në Hong Kong, Rusi, Kinë, Siri, Turqi dhe Iran, dhe që eksportojnë demokracinë përmes bombave B-2 në Irak, Afganistan dhe Libi nuk ankohen për zgjedhjet mono-partiake të Shqipërisë në vitin 2019, arrestimin masiv te politikanëve, protestuesve dhe gazetarëve nga qeveria Rama. Nëse ajo që po ndodh në Shqipëri do të ndodhte në Turqi, Rusi apo Iran, BBC, CNN dhe mediat e tjera perëndimore do të kishin protestuar pafund dhe do kishin kërkuar ndërhyrje të huaj për të ‘sjellë demokracinë’.
Por amerikanëve nuk u intereson demokracia në Shqipëri. I vetmi interes që ata kanë me Shqipërinë është qe ta përdorin për veprimtaritë ilegale që Shtetet e Bashkuara bëjnë në Evropë dhe Lindjen e Mesme. MEK-u i cili në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe evropiane mban një kamp paramilitar në Shqipëri është plotësisht i mbrojtur nga qeveria shqiptare dhe ministrat e saj si Pandeli Majko. MEK-u ka krijuar një shtet brenda shtetit në Shqipëri, sikur Osama bin Laden dhe al-Kaeda krijuan në Afganistan në epokën e Mullah Omarit. Policia, gjykatat, prokurorët, etj., nuk kanë asnjë pushtet mbi MEK-un. Nëse ndonjëherë, ndonjë organ shtetëror guxon ti sfidojë ata do përballen me zemërimin e amerikanëve. Duke pritur MEK-un dhe mbështetur aktivitetet e tij të paligjshme, amerikanët e kanë shndërruar Shqipërinë në një lloj Guantanamo evropiane.
Bashkimi Evropian dhe shumë fqinjë evropianë të Shqipërisë si italianët, grekët, francezët dhe gjermanët nuk janë të kënaqur me atë që ndodh me MEK-un por nuk guxojnë të shprehin këtë. Siç kemi parë me marrëveshjen bërthamore iraniane, Evropa nuk është më e pavarur. Shumë shtete evropiane nuk gëzojnë liri dhe pavarësi në marrëdhëniet e tyre të jashtme sikur gëzonte Franca gjatë epokës së Charles de Gaulle, ose ato që Rusia, Kina dhe Irani gëzojnë në ditët e sotme.
BP: Zyrtarët e administratës Trump mbështesin hapur MEK si një “alternative demokratike” për sistemin aktual politik iranian. Pse Shtëpia e Bardhë po mbështet një grup që nuk ka një bazë sociale midis iranianëve?
OJ: Administrata Trump po e mbështet MEK sepse ata e urrejnë sistemin demokratik dhe të pavarur të Iranit. Ata e urrejnë Iranin sepse Irani mbështet Palestinën dhe nuk braktis palestinezët, dhe sepse nuk e ka lejuar veten të bëhet një regjim diktatorial si Arabia Saudite ose Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërsa MEK është një kult totalitar i pamëshirshëm, i cili mban si skllevër mijëra ushtarë dhe parimet demokratike të tij janë të ngjashme me ato të khmer ruxheve të Kamboxhais, amerikanët bejne gallate me boten dhe portretizojnë MEK-un si “alternativë demokratike” për qeverinë e zgjedhur demokratike të Iranit. Nëse pyesni personalisht ndonjë politikan shqiptar duke përfshirë ata që marrin pjesë në takimet e MEK me Maryam Rajavine se sa demokratike është MEK, ata do të qeshin. Përkrahësit më entuziastë të MEK-ut do t’ju tregojnë në mënyrë private “ne e dimë se ata janë terroristë por Amerika na ka thënë t’i mbështesim dhe ne bindemi. ”
Ata që e konsiderojnë MEK-un si “alternative demokratike” për qeverinë e zgjedhur demokratike të Iranit, duhet te pranojnë edhe Abu Bakr al-Bagdadin dhe Muhamed bin Salmanin e Arabisë Saudite si kampionë te demokracisë në botë.
BP: Mbështetur nga luftënxitësit amerikanë, izraelitët dhe sauditët, qëllimi i MEK-ut është ndryshimi i regjimit në Iran. Cila është analiza juaj për rolin e këtyre vendeve kundër Republikës Islamike, veçanërisht përmes mbështetjes së tyre për MEK-un?
OJ: Nga sa kemi parë në Shqipëri, MEK është një organizatë terroriste kukull e cila nuk ka fuqi të sfidojë fuqinë ushtarake të Iranit. MEK-u është një tigër prej letre, i cili tundet nga amerikanët dhe izraelitët për të ngacmuar shoqërinë iraniane. Anëtarët e saj 4000 e kusur terroristë që Shqipëria strehon nuk janë sfidë serioze për Republikën Islamike të Iranit në aspektin ushtarak. Xhihadistët e MEK-ut janë kryesisht pleq dhe të braktisur nga familjet e tyre. Ata banojnë në kampin e Manzës i cili është një biçim burgu, e biçim kampi paramilitar ku shumica e ushtarëve të MEK-ut nuk lejohen të dalin, të martohen dhe të jetojnë një jetë të lirë.
Ata jetojnë me frikë për krimet që kanë kryer në të kaluarën. Nëse dalin jashtë Shqipërisë nuk kanë ku të fshihen. Turqia, Rusia, Kina, Iraku, Libani, Irani etj., të gjithë i konsiderojnë si terroristë dhe ata do të përfundojnë në burg. Amerikanët nuk u japin azil në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye ata janë “të dënuar” për të jetuar me Maryam Rajavine dhe kultin e saj sepse kjo është mënyra e vetme sesi ata mund të ushqehen dhe të gjejnë mbrojtje. Amerikanët, britanikët, izraelitët etj nuk i marrin në vendet e tyre. Ata janë terrorist të dëshpëruar ashtu sikur terroristët e DAESH-it (apo ISIS-it) që fshihen në shkretëtirat e Sirisë. Dallimi i vetëm midis MEK-ut dhe DAESH-it është se MEK-sat janë “terroristët tanë të mirë” ndërsa DAESH-sat nuk janë më “terroristë të dobishëm”.
Iranianët, madje edhe ata të cilët nuk e pëlqejnë qeverinë e tanishme, e urrejnë MEK-un dhe kurrë nuk do të poshtëronin veten për t’u shoqëruar me një kult të çmendur si MEK-u. Pretendimi amerikan se MEK-u përfaqëson një alternative demokratike për qeverinë e tanishme iraniane është një pretendim i marrë, pasi vetëm një i çmendur mund ta shohë Ku Klus Klanin (KKK) si alternative demokratike për qeverinë e tanishme amerikane. Përkrahësit e paguar të MEK-ut si Rudy Giuliani, John Bolton, etj as vetë nuk besojnë në këto idiotësi. Sidoqoftë, ata duhet të mbështesin mitin e MEK-ut si një opozitë e qëndrueshme militante kundër qeverisë së Iranit për arsyet e tyre gjeopolitike. Amerikanët i kanë ofruar Iranit që t’ia dorëzojnë MEK-un në Iran, nëse Irani do të pranonte të mos mbështesë Palestinën. Por iranianët kanë refuzuar dhe për këtë arsye ata janë syrgjynosur në Shqipëri.
Përmes frikës së MEK-ut, amerikanët duan të bindin despotët vehabitë të Lindjes së Mesme, Arabine Saudite dhe Emiratet Arabe qe të vazhdojnë dhe bashkohen me ta dhe Izraelin kundër Iranit dhe Palestinës. Nëse MEK-u nuk do të ekzistonte, amerikanët dhe izraelitët do të duhet të shpikin një të tillë, siç bënë me DAESH-in dhe al-Nusren në Siri.
Rreziku i vetëm që MEK-u përfaqëson për Iranin është spiunazhi, propaganda dhe lajmet e rreme kundër Iranit. MEK-u mund të kryej edhe veprime të kufizuara terroriste kundër Iranit.
Sidoqoftë Irani, Rusia, Kina dhe evropianët deri më tani kanë treguar se nuk e marrin seriozisht MEK-un.
BP: Si ka reaguar publiku shqiptar ndaj MEK-ut?
OJ: Media tona në Shqipëri nuk guxojne të flasë shumë për MEK-un. Në vitet e kaluara MEK-u ka sulmuar shumë gazetarë dhe media të huaja dhe shqiptare duke i akuzuar ata si “agjentë të Iranit” kur ata tregonin kushtet skllavëruese ku jetojne anëtarët e tyre. MEK-u i’u është ankuar amerikanëve kundër gazetarëve dhe mediave dhe kanë arritur një lloj suksesi në shkatërrimin e lirisë së shtypit në vend. Në vitin 2019, media shqiptare ka censuruar pjesën më të madhe të lajmeve rreth MEK-ut dhe ka adaptuar zhargonin ‘politikisht korrekr’ amerikan duke i përshkruar MEK-un si “opozitën demokratike” të Iranit. Në vitin 2018 mediat tona hetuan abuzimet e tyre ndaj anëtarëve në kampin e MEK-ut, por tani ato nuk e bëjnë më atë gje.
Në mënyrë private, çdo shqiptar e urren MEK-un dhe çdo gazetar e di se kush janë ata. Edhe Sokol Balla një gazetar apologjetik pro-MEK-ut, televizioni i të cilit ka mbështetur aktivitetet e paligjshme të MEK-ut dhe qe nuk pranon të bëjë një debat të hapur për MEK-un pasi nuk dëshiron të merzisë amerikanët, kanë pyetur publikisht “si mund të jetojnë anëtarët e MEK-ut në izolim” dhe braktisin jetën sociale. Nëse shkoni në facebook dhe në shumë forume sociale, do të shihni zemërimin që shqiptarët kanë me praninë e MEK-ut në Shqipëri. Ata kërkojnë dëbimin e tyre. Edhe ata që paguan MEK-u, ose ata që marrin pjesë në takimet e tyre, në mënyrë private pranojnë që ata janë të çmendur dhe të rrezikshëm, por kete nuk guxojnë ta thonë në publik.
Në ditët e fundit kur shumë artistë dhe intelektualë po protestojnë në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës – i cili po shkatërron teatrin kombëtar të ndërtuar nga italianët, disa protestues që janë të mërzitur nga mbështetja amerikane për regjimin autokratik të Edi Ramës po përdorin ironi për të protestuar për realitetin e trishtuar të vendit. Administrata Trump që përshkruan MEK-un si “alternativa demokratike e sistemit aktual politik iranian” po e ndihmon Shqipërinë të shkojë drejt autoritarizmit.
Disa ditë më parë, një protestues kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës bëri një poster ironik drejtuar ambasadës së ShBA-se në Shqipëri. Në poster ai u thotë amerikanëve:
Ambasada e USA! Te prishet teatri. Bëni çtë doni, por veç muxhahedinët mos i ngacmoni!
Kjo foto e cila flet më shumë se 1000 fjalë tregon situatën e dëshpëruar dhe ndikimin negativ kundrejt demokracisë që prania e MEK-ut po krijon në Shqipëri. Amerikanët po mbështesin qeverinë e Edi Ramës që po e rikthen vendin në një sistem njëpartiak. Po mbështesin politika autoritare dhe shkaterrimin e demokracisë sepse interesi i tyre i madh me Shqipërinë është ruajtja e MEK-ut. Po mbështesin shkatërrimin e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. E vetmja gjë që ata kërkojnë nga qeveria shqiptare është: Mbroni MEK-un dhe bëni gjithçka kundër popullit tuaj dhe demokracisë. Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Këshilli i Evropës etj., të cilët duhet të ndërhyjnë dhe flasin kundër regjimit autoritar të Edi Ramës po bëjnë të kundërtën. Shoqëria civile e Shqipërisë ndjehet e braktisur. Ata janë dëshmitarë të shkatërrimit të mjedisit dhe demokracisë, ndërsa amerikanët po përdorin vendin e tyre si një bazë terroriste të MEK-ut “për të sjellë demokracinë” në Iran.
Shumë shqiptarë dëshirojnë të pyesin amerikanët: pse doni të eksportoni demokraci në Iran, kur jeni duke mbështetur një regjim autoritar në vendin tonë? Sidoqoftë, shumë shqiptarë e kanë kuptuar tani që sistemi demokratik që amerikanët dëshirojnë të instalojnë në Iran do të duket si regjimi i Edi Ramës apo kulti i Maryam Rajavit. Një “demokraci” si demokracia e kohës së Shah Mohammad Reza Pahlavit kur ambasada e ShBA-se ne Teheran përcaktonte fatin e kombit iranian./gazetaimpakt/balkanspost/