“Ambasada Amerikane e Jeruzalemit” për vrasje masive, okupim dhe luftë më të gjerë

nga Finian Cunningham.

Sa ironike. Tradicionalisht ambasadat simbolizojnë diplomacinë dhe paqen. Hapja e ambasadës amerikane në Jeruzalem u shoqerua me një pagëzim grotesk të vrasjeve të palestinezëve, situatë që sinjalizon për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Jo vetëm kjo, por edhe në cdo përvjetor të një prej episodeve më të turpshme të spastrimit dhe shpronësimit etnik të shekullit të kaluar – Nakbës së vitit 1948 ose katastrofës palestineze – qeveria amerikane vazhdon të pozicionohet paturpesisht me trashëgimtarët historikë të dhunës, shtetin i Izraelit.

Miratimi i shkeljeve kundër të drejtave historike arabe nga ana e Trumpit është një nxitje për acarimin e situatës në rajon.

Është e vështirë të shprehësh tmerrin. Snaiperë izraelitë që vrasin protestues palestinezë të paarmatosur në Gaza, ndërsa rreth 100 kilometra larg në Jeruzalem, ndodheshin personalitete të ndryshëm nga SHBA si dhe pastorë ungjillorë që bekonin hapjen e ambasadës së re të Uashingtonit, si me qenë një detyrë e Zotit.

Politika e presidentit amerikan Donald Trump në Lindjen e Mesme, në qoftë se mund ta quani “politikë”, është një çmenduri absolute. S’është për t’u habitur, shumica e shteteve evropiane qëndruan larg ceremonisë amerikane për përurimin e qendrës së re diplomatike.

Mospërfillja e Trumpit për paqen palestinezo-izraelite po e zhyt rajonin në një gjakderdhje. Vrasjet e palestinezëve u ndoqën këtë javë edhe nga heqja dorë prej detyrimeve amerikane ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin. Kjo shkelje e traktatit ndërkombëtar i ka detyruar diplomatët nga Evropa, Rusia, Kina dhe Irani të përpiqen të shpëtojnë marrëveshjen, e cila nëse prishet do të shkaktojë më shumë paqëndrueshmëri, madje edhe luftë në Lindjen e Mesme.

Kur Trump njoftoi në dhjetor lëvizjen e ambasadës së vendit të tij nga Tel Avivi në Jeruzalem, ai u kritikua ashpër nga Kombet e Bashkuara. Ky veprim shkeli konsensusin ndërkombëtar që Jeruzalemi duhet të ishte një kryeqytet i përbashkët midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Trumpi tha se vendimi i tij ishte thjesht një “reflektim i realitetit”. Në realitet SHBA pranoi në heshtje pushtimin ilegal izraelit të territorit palestinez.

Për të qenë të drejtë, vendimi i Uashingtonit për të zhvendosur ambasadën në Jeruzalem u bë më shumë se 20 vite më parë në vitin 1995. Presidentët Klinton, GW Bush dhe Obama vendosën të vonojnë lëvizjen aktuale, duke pretenduar se një veprim i tillë varej nga përparimi i bisedimeve të paqes. Trump vuri tani në veprim legjislacionin që tashmë ishte pregatitur.

Veprimi i tij hodhi poshtë pretendimin se SHBA ishte një ndërmjetës i ndershëm mes izraelitëve dhe palestinezëve. Udhëheqësit palestinezë tani nuk pranojnë që të merren me zyrtarët amerikanë, pasi kanë neveri ndaj tyre.

Paradoksalisht, Trump po ndihmon në qartësimin e situatës. SHBA po mbështet hapur hapur pushtimin izraelit të territorit palestinez dhe shtypjen e palestinezëve. Uashingtoni tani është duke bashkëpunuar në mënyrë transparente në politikën kriminale izraelite dhe jo duke u fshehur pas një fasade ndërmjetësimi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e përshëndeti Trumpin këtë javë për ” ngritjen e Izraelit të madh”. Me paturpësinë e tij tipike, Netanyahu u kërkoi shteteve të tjera të ndiqnin shembullin, duke thënë se zhvendosja e ambasadave të tyre nga Tel Avivi në Jeruzalem do të lehtësonte paqen.

Logjika e çoroditur, siç është vërtetuar tashmë nga politika amerikane, është se çdo shans paqeje midis palestinezëve dhe izraelitëve po shkon tani drejt shkatërrimit të plotë.

Kushtet ekstreme nën të cilat ndodhen palestinezët po i shtyjnë ata drejt aktit të dëshpëruar të rreshtimit në mijëra para zjarrit të snajperëve izraelitë.

Që kur populli i Gazas nisi “Marshin e Kthimit të Madh”, rreth 50 protestues të paarmatosur janë vrarë nga zjarri izraelit. Ditën e hapjes së ambasadës amerikane, brenda pak orësh nga ceremonia e Jerusalemit, dhjetëra civilë të tjerë u vranë.

Ushtarakët izraelitë e kanë pranuar hapur se po përdoret një taktikë godit-vrit, ku ushtarët madje kanë qëlluar edhe fëmijët që kanë guxuar ti afrohen kufirit lindor të Gazës.

Protestat në Gaza u organizuan nga palestinezët e zakonshëm për të nxjerrë në pah kundërshtinë e tyre të dëshpëruar kundër okupimit barbar i cili nuk lejon kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre historike, përfshirë edhe në  shtëpitë e tyre në Jeruzalem. Rreth 70 për qind e popullsisë së Gazës janë pasardhësit e refugjatëve të zhvendosur nga kolonët izraelitë gjatë masakrave të vitit 1948 dhe më vonë në luftën e vitit 1967.

Nën rrethimin izraelit, të cilin OKB e ka përshkruar si të paligjshën, banorët e Gazës ndalohen të lëvizin përgjatë bregut të detit. Rreth dy milion njerëz – gjysma e të cilëve janë nën moshën 18 vjeçare – jetojnë në kushte të çnjerrëzore. Mbi 90 për qind e furnizimit me ujë në Gaza është e ndotur, energjia elektrike është e disponueshme vetëm disa orë në ditë, peshkatarët e kanë të ndaluar të shkojnë përtej disa miljeve nga bregu ku ujërat e zeza derdhen direkt në det.

Siç e thekson edhe historiani amerikan Norman Finkelstein, Gaza po vuan nga pushtimi ushtarak, bllokimi çnjerëzor, masakrat e pa ndëshkuara të kryera nga ushtria izraelite dhe fëmijët që po helmohen. Është ky kontekst i gjenocidit në të cilin po zhvillohen protestat e kohëve të fundit.

Këto protesta u organizuan për të përkuar me 70 vjetorin e themelimit të Izraelit më 14 maj 1948. Ditën tjetër, më 15 maj, ndodhi ajo që palestinezët dhe shumë mbështetës në mbarë botën preferojnë të fokusohen: Katastrofa.

Vendimi i Trumpit për të hapur ambasadën amerikane në Jeruzalem këtë javë nuk mund të ishte më provokativ dhe më i papërgjegjshëm. Është me të vërtetë një shfaqje tronditëse mbështetja amerikane prej dekadash që i bën shtypjes barbare të palestinezëve dhe rajonit më të gjerë arab.

Jerusalemi shihet si një vend i shenjtë për muslimanët dhe të krishterët. Pranimi në heshtje nga ana e Uashingtonit për deklaratën e Izraelit mbi Jeruzalemin si “kryeqyteti i pandarë” i shtetit izraelit hebre është një goditje e egër për qindra miliona njerëz të besimeve të tjera. Po ashtu edhe një goditje vandaliste për opinionin botëror të bazuar në parimet e zakonshme të drejtësisë, moralit dhe dhembshurisë ndaj popullit palestinez që po vuan shumë.

Evropa mban një përgjegjësi të madhe për gjendjen e palestinezëve. Pasi Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2006, BE dhe SHBA u vunë në lëvizje për të sanksionuar qeverinë e re të Hamasit për shkak të refuzimit të saj për të njohur shtetin e Izraelit. Rrethimi izraelit në Gaza është kryer kështu me bashkëpunimin e BE-së dhe SHBA- së, megjithëse ky i fundit u shfaq më i ndershëm nën Trumpin.

Qeveritë evropiane mund të jenë shqetesuar nga përbuzja e Trumpit ndaj të drejtave palestineze dhe të drejtës ndërkombëtare. Por ata kanë kontribuar në përkeqësimin e tanishëm të Lindjes së Mesme, duke ndjekur politikat e Uashingtonit në sponsorizimin e okupimit izraelit, duke sponsorizuar regjimet reaksionare arabe si ai i Arabisë Saudite, duke nxitur luftërat ilegale si dhe duke kryer operacionet e ndryshimit të regjimeve.

Nuk ka dyshim se vrulli dhe injoranca e Trumpit e inkurajuar nga donacionet shumë milionë dollarëshe nga amerikanët e pasur hebraikë si Sheldon Adelson – e ka vendosur SHBA-në në një kurs përplasjeje me masat arabe. Ndërsa sikur të mos mjaftonte kjo, Trump tani po e shtyn axhendën tirane izraelito-saudite drejt armiqësisë me Iranin, siç u pa edhe nga sabotimi i marrëveshjes bërthamore.

Evropa për shumë kohë e kishte lidhur veten me anijen e shpuar, që është politika amerikane në Lindjen e Mesme. Qeveritë evropiane duhet ta kuptojnë që nëse në Lindjen e Mesme duhet të shmanget dhuna shpërthyese dhe konflikti, ata duhet të braktisin anijen e SHBA-së dhe të fillojnë të shpallin një politikë të jashtme të pavarur.

Një proces i mirëfilltë i paqes që mbron të drejtat e mohuara prej kohesh të palestinezëve dhe hedhja poshtë e përpjekjeve amerikane për të shkatërruar marrëveshjen bërthamore me Iranin, janë dy çështje imediate që evropianët të rifitojne pak arsyetim dhe respekt – para se të jetë tepër vonë./rt/Gazeta Impakt

Finian Cunningham (i lindur më 1963) ka shkruar gjerësisht për çështjet ndërkombëtare. Artikujt e tij janë botuar në disa gjuhë. Orgjina e tij vjen nga Belfasti, Irlanda e Veriut. Para se të ndiqte karrierën në gazetari është diplomuar në Kiminë Bujqësore dhe ka punuar si redaktor shkencor për Shoqërinë Mbretërore të Kimisë në Kembrixh, Angli. Për më shumë se 20 vjet ka punuar si redaktor dhe shkrimtar në shumë media të mëdha, përfshirë The Mirror, Irish Times dhe Independent. Tani punon si një gazetar i pavarur i bazuar në Afrikën Lindore. Shkrimet e tij publikohen në RT, Sputnik, Strategic Culture Foundation dhe Press TV.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne