Ambasada Amerikane ndikon në vendimin e pritshëm të Gjykatës së Apelit për Çështjen “Ndroqi”

Nga: Kastriot Myftaraj

Pas kërkesës së SPAK, për sekuestrimin e pronave të Ylli Ndroqit, ndër to edhe dy televizione, të miratuar me vendimin e Gjykatës së Posaçme, pati reagime nga rrethet politike, mediatike, si dhe opinion publik. Duhej pritur të kishte dhe pati kritika për mënyrën sesi kishin vepruar SPAK dhe Gjykata e Posaçme. Në pikëpamjen e kritikëve ishte vepruar në mënyrë përzgjedhëse, si dhe me shkelje proceduriale që zbulonin urdhërin politik që kishte vënë në lëvizje “Drejtësinë”.

Reagime të tilla janë të pritshme dhe duhen pranuar pasi janë në logjikën e zbatimit të parimit të ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve. Sa më shumë fuqizohet pushteti i institucioneve të Drejtësisë, aq më e nevojshme është që për kundërpeshë të fuqizohet kritika e arsyetuar ndaj punës së tyre, pasi kështu ato mbahen nën kontroll publik. Asgjë të keqe nuk ka këtu, nëse institucionet e fuqizuara të Drejtësisë nuk kanë për të fshehur prapaskena të pista.
Në kulmin e debatit publik për Çështjen “Ndroqi”, reagoi Ambasada Amerikane me një deklaratë zyrtare dhe një thënie në tëitter të Ambasadores Kim. Pikërisht në 7 gusht, fill pasi avokatët e Ylli Ndroqit dorëzuan ankimin në shkallë të dytë, Ambasada reagoi me një deklaratë që u interpretua gjerësisht në media se kishte të bënte me Çështjen “Ndroqi”.
Pjesa që bëri veçanërisht përshtypje e kësaj deklarate ishte: “Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar.”

Nuk kishte pasur asnjë njoftim nga autoritetet ligjzbatuese për kërcënime dhe kanosje ndaj SPAK apo Gjykatës së Posaçme, dhe nëse kishte ndodhur kështu duhet të kishte njoftime së paku për nisjen e hetimeve pasi kërcënimet dhe kanosjet përbëjnë vepra penale. Publiku mësoi për këto gjëra nga deklarata e Ambasadës Amerikane. Ambasadat në botë reagojnë ndaj lajmeve por nuk i prodhojnë ato, përveçse kur krijojnë me vetëdije lajme të rreme.

A thua vërtet këta prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, të pajisur me ligje të posaçme me superkompentenca, të shumëpaguar, që kanë mbrojtjen e Amerikës dhe të Bashkimit Europian, na u ndjekan të kërcënuar dhe të kanosur nga debati publik për veprimet e tyre? Aq më tepër kur ata vetë e ushqejnë këtë debat, në linjën që duan, duke u dhënë mediave të caktuara material të dosjes që nuk mund të kenë dalë veçse prej tyre. Vetëm kjo do të përbënte një temë për debat të gjerë kritik.
Në të njëjtën ditë, reagoi në tëitter edhe Ambasadorja Kim, me një kumt që dukej qartë se ishte vazhdim i deklaratës së Ambasadës:
“Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe pështjellim, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK dhe Policinë e Shtetit.”
Reagimi i Ambasadores Kim u interpretua gjerësisht si qortim ndaj kritikave për veprimet e SPAK, Gjykatës së Posaçme dhe Policisë së Shtetit në rastin e Ylli Ndroqit. Në të gjithë botën, rastet e rëndësishme të këtij lloji krijojnë debat të gjerë publik me shkëmbim argumentesh ku askush nuk e ka monopolin e së vërtetës.
Ambasada amerikane na tha se shqiptarët nuk e kanë këtë të drejtë në rastin e veprimtarisë së SPAK, BKH dhe Gjykatës Speciale. Veprimet e tyre duhen pranuar pa reagime. Ironia është se diçka e tillë nuk ndodh as në SHBA. George Floyd, vdekja e të cilit u shkaktua nga Policia në Minneapolis të SHBA ishte një njeri me të shkuar kriminale dhe ditën që vdiq u arrestua sepse ishte duke qarkulluar para të rreme. Për këtë ai duhej të dënohej, por ai kishte të drejta që ia njihte ligji dhe shkelja e tyre u bë shkak që e gjithë Amerika të kallet në flakë nga protestat e dhunshme që vazhdojnë ende në muajin e tretë pas vdekjes së tij. Që nga dita e vdekjes së tij në Amerikë ka nisur një debat i madh ku shqyrtohet veprimtaria e të gjithë agjencive ligjzbatuese, e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve. Ky është mësimi që na vjen nga Amerika.
Në të dy deklaratat amerikane nuk u gjet asnjë fjalë e vetme qortimi për atë që u dërgua RENEA, forca e posaçme për operacionet ndaj kriminelëve të armatosur dhe terroristëve, për të marrë nën kontroll dy televizione, ku oficerët e Policisë Gjyqësore të ngarkuar për zbatimin e vendimit të gjykatës nuk ndeshën asnjë kundërshtim. Këtu kishte një qëllim të qartë që gazetarët dhe personeli tjetër i televizioneve të indinjoheshin dhe të përplaseshin me RENEA-n dhe të krijoheshin rrethana për të vënë në zbatim skenare të tjerë.
Skena të tilla të forcave speciale të armatosura si për operacion në zonë luftimi, që pushtojnë selinë e një RTV, nuk kishim parë qëkurse forcat speciale serbe pushtuan selinë e RTV Prishtinës në 1990.
Dy reagimet nga Ambasada Amerikane kanë një qëllim të qartë, të ndikojnë në vendimin e Gjykatës së Apelit për Çështjen “Ndroqi”. Nëse publiku do të njihej me procedurën do ta kuptonte qartë lojën. Sipas ligjit, ndaj vendimit gjyqësor për sekuestrim personi i proceduar ka pesë ditë afat për t’ u ankuar në Gjykatën e Apelit. Vendimi i Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pronave të Ylli Ndroqit u shpall në 1 gusht 2020. Afati i ankimit nis që nga e nesërmja e ditës kur personit i është komunikuar zyrtarisht vendimi gjyqësor. Avokatët e Ylli Ndroqit e dorëzuan ankimin në 6 gusht. Gjykata e Shkallës së Dytë duhet ta marrë çështjen në shqyrtim dhe të marrë një vendim brenda një afati prej dhjetë ditësh nga dita e marrjes së akteve (dosjes). Meqënëse gjithçka ndodh brenda Tiranës, dosja duhet të shkojë jo më vonë se të pasnesërmen e dorëzimit të ankimit, e shumta. Kështu që gjyqi në shkallën e dytë duhet të bëhet nga fundi i javës në të cilën jemi.
Ndërhyrja e Ambasadës Amerikane në këtë çështje, siç shihet ka ardhur në momentin më delikat, në ndërkohën kur pala e proceduar ka dorëzuar ankimin për sekuestrimin e pasurisë, dhe ky ankim do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit. Është e qartë pra se kush po tremb, po kërcënon dhe kanos në këtë çështje. Është Ambasada Amerikane që po kërcënon dhe kanos gjyqtarët e shkallës së dytë duke iu thënë se, nëse nuk e lenë në fuqi vendimin e shkallës së parë, mbi ta do të bienë rrufetë amerikane.
Arsyeja që Ambasada Amerikane po e bën këtë është se Edi Rama ka licencë amerikane për narkoregjim të llojit “Noriega”. Si pjesë e kësaj licence, Drejtësia e Re, me SPAK, BKH, Gjykatën e Posaçme, janë armë për goditjen e njerëzve të papëlqyer prej tij, për shpronësimin e tyre, që pastaj të shpërblehet turma përreth Kryeministrit-Sundimtar.
Arsyeja për të cilën Ambasada Amerikane kërkon që për veprimet e SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme të reagohet veç me heshtje bindëse si ndaj fermaneve të Sulltanit për prerjen e kokës, ndaj të cilëve duhej ulur koka me nënshtrim pranues, është se, së paku në Çështjen “Ndroqi” aktet e SPAK dhe vendimi i Gjykatës Speciale kanë shumë parregullsi dhe shkelje ligjore.
Pikësëpari SPAK nuk ka paraqitur në Gjykatë asnjë vendim gjyqësor që të tregojë dënimin e z. Ndroqi, qoftë edhe me emër tjetër të pretenduar, qoftë në Turqi apo në Itali. Që do të thotë se Z. Ndroqi, me çdo identitet të pretenduar, nuk është shpallur fajtor. E meqënëse nuk është shpallur fajtor ai ka të drejtën e mbrojtjes për të vërtetuar pajtueshmërinë ligjore të pasurisë së tij. Pikërisht ballafaqimit në këtë pikë kërkon t’ i shmanget SPAK, sepse e di që e ka të humbur lojën.
Nëse Gjykata e Apelit le në fuqi vendimin e shkallës së parë për Çështjen “Ndroqi” ky do të jetë një vendim i Ambasadës Amerikane, jo i Gjykatës. Cili gjyqtar apo gjyqtare në Shqipëri do të guxojë të japë një vendim pas reagimit të tillë të Ambasadës Amerikane, sot kur fati i gjyqtarëve dhe prokurorëve është lënë në dorën e të huajve, me dispozita kushtetuese.
Ylli Ndroqi nuk kërkon vecse një gjë. Që për pasurinë e tij të bëhet analiza financiare ashtu siç është bërë gjatë procesit të Vetingut për drejtorin e SPAK Arben Kraja. Në përfundim të kësaj analize le të shihet se kujt i dalin letrat më në rregull Ylli Ndroqit apo Arben Krajës.
Pas dy deklaratave të Ambasadës Amerikane është njëlloj sikur në karrigen e gjyqtarit të çështjes së Ylli Ndroqit, në Gjykatën e Apelit, të ulet Guri Lekloti, leitnanti i përjetshëm për punë të pista i Ambasadorëve Amerikanë në Shqipëri./GazetaImpakt/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne