Ambasada britanike mirëpret vendimin e Thaçit për mandatim të Kurtit për kryeministër

Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se mirëpret vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të emëruar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, për formim të qeverisë së re.

“Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa e tyre dhe dëshira për të ndryshuar, e shprehur aq qartë më 6 tetor, duhet të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë kurajo dhe kreativitet në formimin e qeverisë që reflekton dëshirën e elektoratit”, është thënë në deklaratën e kësaj ambasade.

Përveç tjerash aty është bërë thirrje edhe për përshpejtim të negociatave për formim të qeverisë, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosoëvs, vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për qeverisje eventuale të Kosovës.

Deri më tani, liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar disa herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, mirëpo të gjitha takimet kanë rezultuar të pasuksesshme.​

Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtur më 6 tetor të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, ndërsa LDK-ja e dyta. Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë ai mori ftesë për të dëshmuar në Gjykatën Speciale me seli në Hagë./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne