Shqiperia

Ambasada që nuk rrinë dot pa reaguar pro qeverisë

Opozita protestoi sot siç kishte premtuar dhe protesta e saj ishte e tonifikuar. Me tonifikim zakonisht kuptohen akte dhune si mjete piroteknike dhe përplasje me policinë.

Është bërë zakon tashmë që për çdo ngjarje publike në Shqipëri, ka një reagim publik nga selitë diplomatike. Ambasada amerikane p.sh është një ndër selitë më të zellshme në Tiranë në këtë drejtim. Shkruan sot ambasada:

Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv

Një qëndrim të tillë mund ta mbajë edhe një Organizatë Jofitimprurëse që vepron në Shqipëri. Ndaj kjo qasje ndaj zhvillimeve publike është e pakuptimtë dhe jashtë tagrit të një selie diplomatike. Ambasada mund të komunikojë në rrugë diplomatike me qeverinë dhe me opozitën. Por është e çuditshme dhe tipikisht për një vend si ky yni, që një ambasadë t’i drejtohet publikut shqiptar si një forcë politike mbi palët por që mban përherë qëndrime pro njërës palë.

Sigurisht që ndërprerja e kësaj sjelljeje nuk mund të bëhet me detyrim, as me ndonjë mjet institucional, por duke injoruar me takt këtë lloj teatri që nuk i shërben askujt dhe që në fund të fundit ka zbuluar lakuriq të vërtetën se selitë diplomatike në Tiranë janë pjesë e problemit në këtë vend. /respublica

OPINIONE