Ambasada ruse i përgjigjet Shaban Muratit

📜 Ambasada e Rusisë në Serbi është njohur me artikullin e z. Shaban Murati “Diplomacia ruse e trembur nga zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë”, të publikuar më datë 5 shkurt të këtij viti në gazetën “Dita”, dhe ka bërë një koment, të cilin e kemi dërguar në redaksinë e gazetës së sipërpërmendur. Ambasada është bazuar në faktin se në Shqipëri vepron Kodi i Etikës së Gazetarit, në të cilin thuhet:

“Pala e kritikuar gjithmonë duhet të ketë të drejtën për t’u përgjigjur.
Nësë replika nuk është e përshtatshme për botim në formën që ka, ndryshimet duhet të diskutohen me autorin” (tekstin e plotë mund të gjeni këtu: https://bit.ly/2THs4Tx ).

❗️Përfaqësuesit e gazetës fillimisht premtuan të botojnë komentin. Më pas, për fat të keq, ata iu shmangën përgjigjes. Për gjoja vendimin e marrë nga redaksia për të mos publikuar replikën, ne mësuam nga palë të treta.

Lidhur me sa më sipër, ju bëjmë me dije reagimin e Ambasadës së Rusisë në Serbi nëpërmjet faqes sonë.

Lidhur me artikullin e publikuar në gazetën “DITA” më datë 5 shkurt 2020

Kemi lexuar artikullin tendencioz të publikuar në gazetën “Dita” në datën 5 shkurt të këtij viti, në të cilin autori Shaban Murati ka analizuar intervistën e ambasadorit të Rusisë A.A.Bocan-Harçenko dhënë për gazetën serbe “Blic” në datën 3 shkurt. Për fat të keq, duket sheshit jo vetëm neglizhimi i autorit për të studiuar mirë tekstin origjinal të intervistës, por edhe moskonceptimi i drejtë prej tij i problematikës ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe problemin e Kosovës.

Këndvështrimi i Rusisë mbi rregullimin e çështjes së Kosovës ka qenë gjithmonë shumë konsekuent. Më datë 5 shkurt, gjatë pranimit të letrave kredenciale të Ambasadorit të Serbisë në Moskë, Miroslav Lazanski, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënvizoi edhe një herë: “Rusia bën shumë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Ne jemi për arritjen e një zgjidhjeje të qendrueshme dhe të pranueshme si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Ne jemi gati të përkrahim çdo marrëveshje, e cila do të jetë në përputhje me interesat e Beogradit. Rusia, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, nuk pranon “shtetësinë” e Kosovës të shpallur në mënyrë të njëanshme dhe e konsideron Kosovën dhe Metohinë si Krahinë autonome në përbërje të Serbisë.

Duhet nënvizuar se kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës medoemos do të kërkojë miratimin nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por, si mund të jetë ndryshe? Le të sqarojmë një të vërtetë të thjeshtë, e cila dihet nga të gjithë: deri tani Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet në fuqi dhe ajo mund të shfuqizohet vetëm me një vendim të ri të Këshillit të Sigurimit. Vetëm në këtë mënyrë. Nëse dikush e ka harruar, kujtojmë se në Kosovë vazhdon të funksionojë, në përputhje me Rezolutën, UNMIK-u dhe misione të tjera ndërkombëtare, ndërsa situata në Krahinë diskutohet vazhdimisht në Këshillin e Sigurimit. Tema e Kosovës gjithmonë është në rendin e ditës së Këshillit.

Kundërshtojmë me forcë gjykimet e autorit, sipas të cilave ai nënçmon rolin e Rusisë në rregullimin e çështjes. Le të mos harrojë për kontributin e vendit tonë në këtë proces. Mjafton të themi se falë përpjekjeve të Rusisë kjo çështje doli nga qorrsokaku ushtarak dhe hyri në binarët e diplomacisë.

Për sa i përket lëvizjeve të shtuara diplomatike të një sërë aktorësh ndërkombëtarë, siç nënvizon z. Murati, duhet të pranojmë se deri tani këto aktivitete më shumë u ngjasojnë stërvitjeve në pistë vrapimi – shumë mund dhe energji të shpenzuara pa lëvizje përpara. Vendimet për rihapjen e komunikimeve ajrore dhe hekurudhore, padyshim, janë për t’u përshëndetur. Rusia gjithmonë ka qenë dhe do të jetë për zhvillimin e kontakteve, forcimin e mirëbesimit. Por, të gjithë e dinë se nga qëllimet e mira te realizimi i tyre praktik është një rrugë jo e thjeshtë.

E kemi të vështirë të ndajmë entuziazmin e autorit për Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013. Faktikisht, marrëveshjet e arritura kanë mbetur në letër, deri tani nuk është realizuar detyrimi kyç i Prishtinës për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Pikërisht, për shkak të paaftësisë së faktorëve të jashtëm për të detyruar Prishtinën të përmbushë marrëveshjet, dialogu në Bruksel ra në gjendje kome. Në këtë rast, mendojmë se prononcimet për një sukses të arritur janë të parakohshmë dhe tepër të zmadhuara.

Gjithashtu, nuk zgjojnë optimizëm as deklaratat e fundit dhe hapat provokativë të “qeverisë” së re të Kosovës, për të cilat zoti Murati preferon të heshtë. Autoritetet kosovare përmendin heqjen e taksave ndaj mallrave serbe vetëm duke e lidhur këtë çështje me disa hapa reciprokë nga ana e Beogradit. Por, nuk duhet harruar se është pikërisht bashkëpunimi ekonomik që gjithmonë ka pajtuar dhe bashkuar njerëzit që nga kohërat e lashta. Kjo qasje e Prishtinës jo vetëm që nuk ndihmon në normalizimin e situatës, por edhe hedh hije mbi vendimet e arritura me ndërmjetesimin ndërkombëtar për zhvillimin e transportit.

Në fund të fundit, zoti Murati, i cili shkruan më kaq arrogancë dhe vetësiguri, nuk ka përmendur se cila mund të jetë ajo zgjidhja e shpejtë. Si kështu, z. Murati? Përgjigja mund të nënkuptohet – Beogradi dhe gati gjysma e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, që nuk e pranojnë Kosovën, duhet të gjunëzohen dhe t’a pranojnë atë.

Në fund do t’i lejojmë vetes të vëmë në dukje se para se të gjykojmë për diçka, është mirë të njihemi me kontekstin, qoftë edhe në mënyrë sipërfaqësore. Ndoshta kështu do të jetë e mundur të shmangen disa gabime faktike, interpretime false dhe përfundime absurde./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne