Shqiperia

Ambasada Ruse: Karpushin nuk është kërcënuar. Nuk ndërhyjmë në zgjedhjet shqiptare

Ambasada Ruse në Tiranë ka përgënjeshtruar një lajm të publikuar në media që pretendonte se ambasadori Aleksandër Karpushin ishte kërcënuar me jetë nga një grup ekstremist nga Maqedonia.
Përmes një deklarate për shtyp, Ambasada e Rusisë ka përgënjeshtruar lajmin, duke shprehur habi për të, teksa shton se ifnormacionet nuk janë të sakta.

“Ambasada Ruse shpreh habinë e madhe në lidhje me publikimin nga televizioni Vizion Plus, dhe pastaj nga mediat e tjera shqiptare, të materialit mbi çështjen e sigurisë së misionit diplomatik rus në Tiranë. Në gjykimin tonë, një fushë kaq sensitive, siç është organizimi i ruajtjes dhe sigurimi i mbrojtjes së misioneve të huaja diplomatike, gjë që sipas së drejtës ndërkombëtare është obligimi i çdo shteti pritës, nuk duhet të behet objekt i debatit publik.

Pavarësisht se i referohet një lloj burimi diplomatik, materiali në fjalë përmban informacione të pavërteta dhe krejtësisht provokative, përshirë këtu edhe gjoja planet e Ambasadës për të ftuar në Tiranë një grup ekspertësh të inteligjencës ruse”, thuhet në njoftim.

Ambasada Ruse në Tiranë ka shuar gjithashtu publikimet në media, se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ketë ndikim të rusisë.

“Akoma më pa vend duken përpjekje për t’i lidhur këto thashetheme me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Ambasada e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se një nga parimet fondamentale të politikës së jashtme të Rusisë është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. I qëndrojmë mendimit se botimi në media i lajmeve të tilla “sensacionale” dëmton zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, krijon një klimë jo të shëndetshme rreth Ambasadës dhe nuk u përgjigjet qëllimeve të garantimit të sigurisë së saj”, përfundon njoftimi.

OPINIONE

INTERVISTA