Rajoni

Ambasada turke në Prishtinë organizon pritje për Ditën e Fitores

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, e cila shënoi fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasada e Turqisë në Prishtinë ka organizuar pritje zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në rezidencën e Ambasadës turke, morën pjesë mysafirë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), Rrustem Berisha, kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, përfaqësues të KFOR-it turk e të tjerë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, duke lexuar në fjalën e tij përshëndetëse, fjalimin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se prapa 30 Gushtit, sikurse prapa të gjitha fitoreve në historinë turke, është guximi i heronjve që sakrifikuan pa hezituar.

“Kombi ynë sikurse që ishte dje, edhe sot është i gatshëm të tregojë të njëjtën sakrificë dhe guxim për pavarësinë dhe të ardhmen. Për hirë të atdheut të cilin e sheh më të çmuar se sa vetë shpirti saj”, tha Sakar.

Ai tha se ndjehet i lumtur që këtë ditë po e festojnë në Prishtinë, me vëllezërit nga Kosova, shtetin të cilin do të vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë dhe në ndihmë.

Sakar përkujtoi edhe themeluesit dhe ata që kontribuan për shtetndërtimin turk.

“Të nderuar të pranishëm në këtë ditë të veçantë, me nder dhe mirënjohje përkujtojmë liderin e luftës së çlirimit dhe themeluesin e Republikës së Turqisë, Gazi Mustafa Kemal Ataturk, shokët e tij të luftës dhe të gjithë dëshmorët të cilët sakrifikuan jetën e tyre për atdheun, si dhe veteranët”, tha Sakar.

Kujtojmë se në këtë ditë, 97 vjet më parë, forcat turke me themeluesin e Republikës moderne të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, shënuan fitore të madhe kundër forcave greke në Betejën në Dumlupinar, e cila ishte e fundit në luftën e Turqisë për pavarësi mes viteve 1919 dhe 1922./ AA

OPINIONE