Shqiperia

Ambasadorët shqiptarë nëpër Evropë më keq se gjyqtarët, ja diplomati me 18 pasuri të paluajtshme

Kryeministri Edi Rama i quajti dy ditë më parë të lodhur, të avashtë dhe të përgjumur, por etiketime të tilla nuk u shkojnë aspak ambasadorëve tanë nëse u referohemi pasurive që disponojnë. Ndonëse bilanci i tyre në raport me ekonominë e vendit, pra me thithjen e investimeve të huaja është i zymtë, nga ana tjetër, ambasadorët shqiptarë duket se janë mjaft të zhdërvjellët dhe aktivë për shtimin e pasurive të luajtshme dhe llogarive bankare nëpër Evropë.

Shqiptarja.com, duke iu referuar deklaratave të pasurisë ndër vite, publikon pasuritë e paluajtshme të disa prej ambasadorëve shqiptarë në vendet më të rëndësishme të Evropës dhe në Shqipëri.

Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Canaj, ka në pronësi, bashkë me bashkëshorten, rreth 18 pasuri të paluajtshme, ku përfshihen 8 apartamente në Tiranë dhe Durrës, garazhe, bodrume, njësi ndërtimore, sipërfaqe trualli etj. Ambasadori Canaj deklaron gjithashtu disa llogari bankare, ku vetëm tek njëra ka 250 mijë euro gjendje, ndërsa posedon edhe një makinë me vlerë 48 mijë euro. Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Faber, është bashkëpronare e 9 pasurive të paluajtshme.

Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, deklaron një shtëpi në Bruksel, me sipërfaqe 240 m2, me vlerë 320 mijë euro si dhe disa llogari bankare. Apartament në Bruksel, me sipërfaqes 105 m2 dhe në vlerën 295 mijë euro ka blerë edhe ambasadori në Gjermani, Artur Kuko, më parë ambasador në NATO. Ambasadori shqiptar në Danimarkë, Kastriot Robo, ka në pronësi dy shtëpi banimi në Shqipëri, të cilat i ka dhënë me qira, ndërsa djali i tij, Besart Robo, ka një shtëpi banimi në Angli, blerë me kredi.

Apartamente dhe makina
Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, ka në pronësi dy apartamente, garazh për dy makina, ullishte në Tiranë me sipërfaqe 6 188 m2, makinë Citroen 24 mijë euro, makinë Fiat 14 mijë euro si dhe ka firmosur një kontratë për dhënien e një trualli për ndërtimin e një objekti. Ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Riza Poda, posedon ambiente tek Shallvaret në Tiranë dhe bodrum, të dhëna gjithashtu me qira. Poda ka shlyer një kredi për blerje banese si dhe ka blerë një makinë tip Audi Q5 në vlerën 24 600 euro.

Në vitin 2014, kur ishte konsull i Përgjithshëm në Selanik, Poda ka deklaruar disa llogari bankare nëpër bankat e Greqisë, në shumat 17 000 euro, 9 000 euro, 9 600 euro, 5 000 euro, 1 935 euro, 1 108 dollarë dhe 60 000 lekë. Visar Zhiti, i ngarkuari me punë në Vatikan, deklaron tre apartamente, një në Tiranë dhe dy në Durrës, ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Katar, Edmond Çaça, deklaron se ka shituar një truall në Tiranë me vlerë 637 mijë euro.

Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Ardiana Hobdari, ka në pronësi një makinë tip Mazda, me vlerë 11 000 euro dhe 25% të një apartamenti banimi në Tiranë. Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo deklaron një apartament 84 m2, blerë me këste nga Enti i Banesave si dhe një llogari investimesh me vlerë 51 mijë euro. Ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite, Sami Shiba, deklaron të ardhura nga dhënia e një apartamenti me qira si dhe pagën rreth 25 mijë euro.

Ambasadorët e tjerë
I ngarkuar me punë në ambasadën shqiptare në Brazil, Nuri Domi ka në pronësi disa apartamente dhe bodrum. Vetëm nga lëshimi me qira i bodrumit, ambasadori deklaron 12 mijë euro të ardhura brenda një viti kalendarik.

Ambasadori i Shqipërisë në Bullgari, Qirjako Kureta, brenda vitit ka blerë një dyqan me një shumë që nuk përcaktohet në deklaratën e pasurisë si dhe një makinë me vlerë 6 mijë euro. Si burim për blerjen e këtyre pasurive, ambasadori referon kursimet nga paga e tij dhe paga e vajzës, e cila punon në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Bardhyl Canaj
Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Canaj, ka në pronësi, bashkë me bashkëshorten, rreth 18 pasuri të paluajtshme, ku përfshihen 8 apartamente në Tiranë dhe Durrës, garazhe, bodrume, njësi ndërtimore, sipërfaqe trualli etj.

OPINIONE

INTERVISTA