Ambasadori amerikan në Izrael fotografohet duke mbajtur një poster të Jeruzalemit me një Tempull Hebre në vendin e Xhamisë Aksa

Ambasadori i SHBA-së në Izrael David Friedman u fotografua të martën me një poster të Jeruzalemit, ku në vend të Xhamisë Aksa dhe Kubesë së Shkëmbit qëndronte Tempulli i Tretë Hebre.

Lajmi u raportua fillimisht në faqen e lajmeve ultra-ortodokse Kikar Hashabat. Fotografia e Friedmanit duke marrë në dorë posterin u krye gjatë një vizite në Bnei Brak, organizuar nga organizata Achiya, e cila ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara.

Nuk është e qartë nëse Friedman në atë kohë e vuri re imazhin e montuar apo jo. Një zyrtar i ambasadës amerikane tha për Haaretz se i kanë kërkuar organizatës që të kërkojë falje për veprimin e stafit te tyre, ku gjatë vizitës, ambasadorit amerikan i është dhënë dhe prezantuar fotoja”.

Në një deklaratë të lëshuar më vonë nga ambasada, u tha se Friedman nuk ishte në dijeni të imazhit brenda posterit gjatë momentit kur u fotografua. Ai ishte thellësisht i zhgënjyer që kushdo do të përfitonte nga vizita e tij në Bnei Brak me qëllim krijimin e polemikave”.

“Politika e Shteteve të Bashkuara është absolutisht e qartë: ne mbështesim status kuonë e Haram al-Sharifit / Malit të Tempullit,” përfundoi deklarata.

Organizata Achiya i ka kërkuar falje Friedmanit dhe ambasadës, duke thënë se një anëtar i stafit në emër të saj e paraqiti fotografinë tek ambasadori, i cili nuk ishte në dijeni të përmbajtjes.

“Dëshirojmë të falënderojmë ambasadorin David Friedman dhe anëtarët e stafit për profesionalizmin dhe mirësjelljen e tyre … Ndjejmë keqardhje që e gjithë ngjarja u dëmtua nga një veprim politik i pavlerë. Anëtari i stafit, përgjegjës per veprimin u identifikua dhe kërkoi falje, ndërsa tani kjo çështje i ka kaluar organizatës,” tha deklarata.

Ligjvënësi Ahmad Tibi (Lista e Përbashkët) iu përgjigj fotografisë duke thënë: “Dhe ky i çmenduri dëshiron të sjellë paqe, sa mirë që nuk e zhvendosët ambasadën tuaj aty!”

Shtetet e Bashkuara e hapën zyrtarisht ambasadën e tyre në Jeruzalem më 14 maj, në një situatë përleshjesh midis forcave izraelite të sigurisë dhe palestinezëve në kufirin e Gazës, ku u vranë dhjetëra protestues dhe u plagosën qindra të tjerë.

David Friedman ka qenë një figurë kontraverse në aksin SHBA-Izrael-Autoriteti Palestinez. I njohur për mbështetjen e tij për vendbanimet, Friedman ka kryesuar një grup që ka mbledhur dhjetëra miliona dollarë për Beit Elin, një nga vendbanimet më radikale në Bregun Perëndimor.

Departamenti amerikan i shtetit në të kaluarën e ka distancuar publikisht veten nga komentet e bëra nga Friedman, duke sqaruar se fjalët e tij nuk kanë sinjalizuar ndryshimin e politikës amerikane kundrejt konfliktit izraelito- palestinez.

Në janar, departamenti i shtetit ripërsëriti se nuk e ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me statusin e Bregut Perëndimor si territor i pushtuar, pas një raportimi të botuar ku thuhej se Friedman i kishte bërë presion departamentit për të ndaluar përdorimin e këtij termi.

Në fillim të shtatorit, Friedman tha në një intervistë për Jerusalem Post se e majta izraelite po e kundërshton “pushtimin e pretenduar” të Bregut Perëndimor. Po atë muaj, ai shkaktoi polemika të ngjashme kur tha për një media izraelite se Izraeli ka pushtuar vetëm 2 për qind të Bregut Perëndimor dhe se gjithmonë ishte nje pritshmeri që Izraeli të zgjerohej në zonën që pushtoi pas luftës gjashtë ditore të vitit 1967./hareetz/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne