Rajoni

Ambasadori amerikan në Prishtinë ndez spekulimet për ndarjen e Kosovës?!

Ambasadori amerikan në Kosovë ka shkaktuar shqetësime se SHBA-ja mund të miratojë ndarjen e Kosovës pasi nuk pranoi ta përjashtonte këtë mundësi në një intervistë. Në intervistën dhënë KTV të Kosovës të enjten, Greg Delawie shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtë, kur u pyet nëse SHBA-ja e përjashtonte ndarjen si një zgjidhje për mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë.

“Nuk do të flas mbi faktin se çfarë do të jetë një element i marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të flas në lidhje me faktin se kush mendoj se duhet ta drejtojë këtë diskutim në Bruksel dhe nuk do të flas për detaje të tipit se në cilën dhomë duhet të mbahet apo për formën e tryezës,” u përgjigj ambasadori Delawie.

I pyetur se cili ishte qëndrimi Shteteve të Bashkuara për ndarjen, Delawie u përgjigj se Kosova do të duhet të pranojë cilado qoftë marrëveshja përfundimtare.

“Nuk do të flas se cilat mund të jenë elementet e një marrëveshjeje apo pakti në këtë pikë. Mund të them se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës, janë plotësisht në gjendje t’i marrin vetë këto vendime në pozicionet negociuese dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre ndërsa ata diskutojnë për këto gjëra,” tha Delawie.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi ka refuzuar ta njohë. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve nisën në Bruksel në vitin 2011. Që nga qershori, të dyja palët kanë deklaruar se bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare.

Ndërkohë, SHBA-ja ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe u pa si një nga mbështetësit kryesorë të qëndrimit të Kosovës se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i saj nuk ishin të negociueshme.

Në shkurt, ambasada amerikane në Kosovë tha për Radion Europa e Lirë: “Ne nuk e mbështesim shkëmbimin e territoreve apo krijimin e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje, por të gjitha palët duhet të jenë kreative në gjetjen e një zgjidhjeje.”

Shpend Ahmeti, kreu i Partisë Social Demokratike, PSD, dhe kryetari i Prishtinës, shkroi në Facebook pas intervistës së ambasadorit amerikan se komentet e Delawie tregojnë një “një ndryshim thelbësor të qëndrimit amerikan”.

Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, më parë tha se ndarja e Kosovës për të do të thoshte “luftë”.

“Ndarja për mua është lufta, e them këtë pa hezitim dhe është e rrezikshme të flitet për ndarje.”

“Nuk ka ndarje, asnjë shkëmbim territoresh, lëvizje të kufijve… Është e rrezikshme, nuk mund të bëhet në këto rrethana,” tha Haradinaj për TV Dukagjini të enjten, i pyetur për propozimin e bërë nga deputeti i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Lutfi Haziri për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

OPINIONE