Ambasadori britanik ftohet në Ministrinë e Jashtme të Iranit

Ambasadori britanik në Teheran Rob Maker u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit, pasi sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt shpalli Iranin përgjegjës për sulmin ndaj dy tankerëve në Gjirin e Omanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Iranit përmes një kumtese thotë se Teherani dënon deklaratën e sekretarit britanik Hunt duke i shprehur pakënaqësitë e saj.

Më tej theksohet se Hunt akuzoi Iranin në mungesë të dëshmive dhe dokumenteve dhe se Britania e Madhe po ndjek rrugën e Washingtonit.

“Është pothuajse e sigurtë se mbrojtësit e revolucionit, që janë krahu i ushtrisë iraniane, më 13 qershor kanë kryer sulmin mbi dy tankerët”, potencohej në deklaratën e djeshme të Ministrisë së Jashtme britanike.

Dy shpërthime ndodhën të premten në dy tankerë me naftë në Detin Arabik, pas së cilës 44 persona u evakuuan nga tankerët.

Shpërthimet ndodhën në tankerin Front Altair me simbolet e Ishujve Marshall dhe tankerin Kokuk Courageous me simbole të Panamas. Tankerët transportonin naftë të papërpunuar nga Abu Dhabi. Një person u plagos nga shpërthimet.

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo akuzoi Iranin për sulmin ndaj dy tankerëve. “Ky është vetëm sulmi i fundit në serinë e sulmeve të Republikës Islamike të Iranit dhe partnerëve të tij ndaj interesave të SHBA-ve dhe aleatëve të saj”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne