Ambasadori i Turqisë viziton jugun e vendit, në fokus rritja e bashkëpunimit (FOTO)

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka zhvilluar sot një vizitë në qytetet jugore të Shqipërisë, Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër.

Vizitën e parë Ambasadori Yörük e zhvilloi në qytetin e Përmetit ku zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Niko Zhupuli.

Kryetari i Bashkisë së Përmetit shprehu mirëseardhjen ndaj tij në këtë qytet duke thënë se qyteti që ai drejton ka shumë figura që kanë kontribuar për historinë e dy vendeve.

Ai uroi Ambasadorin për ceremoninë e inaugurimit (betimit) të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Kryetari u shpreh gjithashtu se ky qytet ka marrëdhënie të mira me institucionet turke dhe sidomos me Unionin e Bashkive të Turqisë. “Kemi kërkuar disa trajnime të punëtorëve tanë në bashkinë e Stambollit”, tha ai dhe më pas vuri në dukje se Përmeti ka shumë burime natyrore dhe se vitet e fundit ardhjet e turistëve janë shtuar dhe se shumë prej tyre kryesisht vijnë për aktivitete sportive e rafting.

Ndërsa Ambasadori Yörük falënderoi kryetarin e bashkisë për pritjen. Duke vënë në dukje se populli turk dhe ai shqiptar janë vëllezër ai theksoi se edhe pse këta dy popuj nuk janë fqinjë ata i quajnë shqiptarët si fqinj të zemrës.

“Jam i angazhuar që të vizitoj të gjitha qytetet e Shqipërisë” theksoi Yörük dhe shtoi se objektivi i këtyre vizitave është njohja nga afër e bukurive të këtij vendi, por jo vetëm edhe takimet me zyrtarët vendorë duke biseduar për hartimin e projekteve konkrete për përparimin më tej në marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe kulturore.

Ambasadori i Turqisë ka zhvilluar një vizitë edhe në bashkinë e Tepelenës. Në këtë kuadër ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.

Në këtët takim Kryetari ka njohur nga afër Ambasadorin me situatën e zonës që ai drejton si dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në disa fusha si turizmi, agrokultura bujqësia etj..

Ndërsa Ambasadori Yörük në fjalën e tij në këtë takim ka njohur kryetarin me arsyen e vizitës duke thënë se ai dëshiron që të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Tepelena është një qytet që ka një histori dhe të kaluar të përbashkët si dhe ky vend i përket trashëgimisë kulturore të historisë sonë të përbashkët. Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim është e interesuar nga afër për restaurimin e këtyre objekteve, sikurse po ndodh me disa projekte në qytetin e Gjirokastrës”, tha Ambasadori dhe më pas vuri në dukje se me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës investitorët turq do të kenë më shumë në vëmendje ndaj zonës në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në atë të turizmit.

Ambasadori Yörük ndalesën e radhës e kishte në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku fillimisht është pritur nga Prefekti Astrit Aliaj. Ai ka njohur prefektin me vizitën e zhvilluar në Përmet dhe Tepelenë dhe më pas ka shtuar se synimi kryesor i këtyre takimeve është krijimi i mundësive të bashkëpunimit mes dy palëve.

Nga ana tjetër Prefekti Aliaj i ka uruar Ambasadorit mirëseardhjen dhe më pas duke vënë në dukje se e njeh mirë Turqinë ka shtuar se është i lumtur që pret sot Ambasadorin e këtij vendi në qytetin e tij.

Ai ka shprehur dëshirën e vëllazërimit të prefekturës së Gjirokastrës me një prefekturë turke dhe shtoi se këtë gjë e kërkon për të mirën dhe interesat e dy vendeve.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë gjithmonë duke u forcuar. Këtë gjë e tregoi edhe prania e Kryeministrit tonë, Edi Rama në celebrimin e Presidentit të Turqisë”, ka thënë Aliaj dhe më pas ka theksuar se marrëdhëniet e dy vendeve janë të konsoliduara. Prefekti Alija ka bërë thirrje për ardhjen dhe thithjen e kompanive turke në qarkun Gjirokastër duke thënë se qytetarët e Gjirokastrës janë njerëz punëtorë. Ai ka thënë gjithashtu se dëshirojnë që shtetasit turq të vizitojnë më shumë këtë zonë pasi sipas tij dy popujt e duan njëri-tjetrin dhe kanë kulturë të përbashkët.

Pas takimit me Prefektin, Ambasadori Yörük ka zhvilluar një takim edhe me Kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami.

Duke i uruar mirëseardhjen Ambasadorit Yörük, Rami ka falënderuar Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim TIKA si dhe Institutin Yunus Emre në Tiranë, për bashkëpunimin. Ndërkohë Yörük është shprehur tejet i kënaqur që gjendet për vizitë në këtë qytet.

Yörük nuk mund të linte pa vizituar edhe Universitetin e vetëm të këtij qarku, Eqerem Qabej. Në takimin e rastit ai është takuar me rektorin e këtij universiteti, Bektash Mema dhe disa drejtues të tjerë që e shoqëronin.

Në këtë takim tejet miqësor Rektori ka njohur Ambasadorin Yörük me situatën e Universitetit si dhe shprehu gatishmërinë dhe dëshirën për rritjen dhe intesifikimin e marrrëdhënieve me universitetet turke përmes programeve të ndryshme si Mevlana, Erasmus etj..

Ambasadori Yörük gjatë takimit në këtë universitet zbuloi edhe një fakt interesant. ‘Unë kam lindur në të njëjtin qytet ku ka lindur edhe Eqerem Çabej. Pas shumë vitesh unë vij në një universitet që mban emrin e një personi që ka lindur në qytetin tim të Eskişehir-it. Kjo është një gjë shumë interesante dhe shtysë që ne të mund të rrisim edhe bashkëpunimin’ tha ai në fjalën e tij dhe më pas sugjeroi hapjen e lëndës së gjuhës turke me zgjedhje në këtë universitet pasi sipas tij studentët të cilët do të marrin këtë lëndë do të kenë më shumë mundësi punësimi si dhe më shumë mundësi për kryerjen e masterit dhe doktoraturës në Turqi. Ambasadori Yörük sugjeroi gjithashtu rritjen dhe intesifikimin e marrëdhënieve të këtij universiteti me dy universitete që ndodhen në qytetin ku ka lindur Eqerem Çabej, atë të Anadolu Universitesi dhe Osman Gazi Universitesi.

Në fund Ambasadori Yörük mbylli vizitën e tij me një shëtitje në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Kujtojmë që Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük që prej nisjes së detyrës së tij në vendin tonë, ka nisur një sërë vizitash në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ai shprehet se këto vizita dhe takime janë të rëndësishme pasi në saje të tyre mund të rritet bashkëpunimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve tregtare, ekonomike, kulturore, etj..

Frekuenca.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne