Ambasadori Lu i Portokallisë si Torkuato Kardili ambasadori i Italisë

 

GJERGJ THANASI

Në dimrin e vitit 1991-1992 ambasadori i Italisë në Tiranë ishte një farë Torkuato Kardili (Torquato Cardilli). Ky ambasador e përmbyti Farnesina-n (Ministrinë e Jashtme të Italisë) me raporte dhe informacione, që ish PPSH-ja e shndërruar në PS do fitonte me patjetër zgjedhjet e 22 marsit 1992, por vetëm se me diferencë të ngushtë votash me PD-në. Me sa duket gocat e FRESH-it të sapo krijuar të PS-së i kishin ofruar argumenta bindëse ambasadorit Torkuato për të arritur në këtë konkluzion. Parashikimet e ambasadorit kundërshtoheshin fort nga informacionet e 007-tave italiane në ambasadë si edhe nga raportet e karabinierëve apo alpinëve në përbërje të Misionit Pelikan. PS-ja i humbi zgjedhjet thellë, ndërsa parashikimet e Torkuatos së ngratë i morri përroi i Lanës. Gjen. Ciacci komandanti i Misionit Pelikan plot sarkazëm në një pritje zyrtare në bisedë e sipër tha: në Itali kemi plot barsaleta me karabinierë budallenj. Në dritën e parashikimeve të ambasadorit tonë, ne në Itali duhet të krijojmë barsaleta me Torkuato, jo më me personazhe karabinierë!

Lu-ja në Portokalli

 

Në emisionin humorisitk Portokalli morri pjesë edhe ambasadori Donald Lu. Sic e ka bërë zakon së fundi ai përsëri kërcënoi me burg dhe përmendi si sukses të madh të reformës për drejtësi që disa deputetë, Tahiri përfshirë, në kuadrin e dekriminalizimit kanë mbetur pa mandat. Ndër emrat e përmenduar ishin ato të ish deputetit të PS-së Arben Ndoka dhe ish deputetit Mark Frroku. Të nesërmen e spektaklit Lu në Portokalli si rrufeja në të thatë nga Lezha erdhi një lajm, që përgënjeshtronte Lu-në e Portokallisë. Me vendim të Këshillit Bashkiak Lezhë një rruge në Lagjen Nënë Tereza iu vu emri Aleksandër Ndoka, vëllai i ish deputetit mandate-humbur Arben Ndoka.

Vëllai ishte vrarë për një pazar të prishur droge,ndërsa i biri i të ndjerit Aleksandër është ende në burg me akuza për krime kundra personit. Xhaxhai i të ndjerit Aleksandër m e detyrë Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë është në arrest shtëpie me akuzën shpërdorim detyre. Një emër i tillë rruge jo vetëm e nxjerr bllof ambasadorin e ngratë Lu, por edhe i bën realisht nder lagjes, që mban emrin e Nënë Terezës, madje tërë Lezhës dhe tërë Shqipërisë së rilindur këto 5 vjet!

Një rrugë në Tiranë mban emrin e Leonard Frrokut, vëllait të ish deputetit Mark Frroku, që aktualisht endet burgjeve e gjyqeve me akuza të ardhura nga drejtësia belge për ushtrim prostitucioni, drogë dhe vrasje. Një tjetër vëllë i të ndjerit Leonard edhe ai me mandat deputeti kristiano-demokrato-rilindas ka një hesap të “vogël”me drejtësinë: akuzohet se ka vrarë për shkak të detyrës komisarin e policisë Dritan lamaj!!!!!

Me të tillë emra rrugësh modestisht i sugjerojmë amabasadorit Lu, që e vetmja mënyrë për të mos u bërë personazh barsaletash si ambasadori italian TorkuatoKardili në vitin e largët 1992 është t’i propozojë Bashkisë së Cikagos, që një rrugë e këtij qyteti të mbajë emrin e italo-amerikanit të famshëm Al Kapone. Një rrugë me emrin e Al Kapones realisht dot’i bënte nder qytetit të Cikagos. Mirë do të ishte që ambasadori Lu t’i propozonte edhe Bashkisë së Nju Jorkut, që një bulevard i qytetit të quhej “Viale Gotti”!  Një bulevard me emrin e të famshmit John Gotti (Giovanni Gotti) do të ishte objekt krenarie për qytetin e Nju Jorkut ashtu sic janë dy rrugët me emrat e mësipërm për qytetin e Lezhes dhe për Tirananë kryeqytetin e Shqipërisë së rilindur!

Është përtë ardhur keq që në Atdheun tim gjithnjë e më shumë e vetmja mënyrë për tu shprehur publikisht në mënyrë adekuate është të përdorësh sarkazmën si në shkrimin e mësipërm!/ Gazeta Impakt

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne