Ambasadori rus në Shqipëri z. Mihail Afanasiev: “Të ndërtojmë ura të reja mirëkuptimi dhe besimi midis popujve tanë”

Intervista ekskluzive e Ambasadorit të Federatës Ruse në Shqipëri z. Mihail Afanasiev. “Në Shqipëri, mbetet një interes i thellë për kulturën, letërsinë dhe artin rus. Dhe, meqë ra fjala, në dallim nga fusha politike, ne kemi me se të krenohemi në fushën e bashkëpunimit humanitar. Prej shumë vitesh, programi i qeverisë ruse për dhënien e bursave për studime falas në institucionet e arsimit të lartë të Rusisë është shtrirë edhe në Shqipëri” ,vijon ai.

Lidhur me organizaten e OSBE-së ,kryesimin e së cilës për vitin 2020  e ka marrë Shqipëria, Z Ambasador  tregon se Rusia ruan një qasje të veçantë ndaj kësaj Organizate:” në vitin 1973 BRSS dhe një serë shtetesh evropiane iniciuan sesionet e para për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë.Sot, ashtu si në vitet e themelimit të saj, OSBE ka nevojë për një vullnet politik të fortë për të kapërcyer fenomenin e mosbesimit të ndërsjellë dhe rreziqet në rritje ndaj sigurisë së Evropës”, shprehet  ambasadori.

Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edi Rama do të ketë mundësinë që, në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, të diskutojë në detaje me palën ruse në Moskë këto çështje të rëndësishme e aktuale. Megjithse Ambasadori theksoi se është herët të flasim për ndonjë ndikim të kësaj ngjarjeje në perspektivat e mundshme të zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, por sidoqoftë, vetë fakti i vizitës së parë, pas shumë vitesh, të një niveli kaq të lartë është inkurajues, thekson ai.

Ndërsa i pyetur për marrëdhëniet e drejtpërdrejta politiko-ekonomike ndërmjet dy vendeve, Ambasadori rus shprehet i rezervuar “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve tregtare pengohet nga sanksionet, mungesa e një dialogu normal politik, si edhe nga problemet e klimës vendase të investimeve. Jam i sigurt se me zgjidhjen e njëpasnjëshme të këtyre problemeve bashkëpunimi ynë tregtar dhe ekonomik do të tregojë rritje të dukshme”.

Në fund Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri tregon se shqiptarët dhe ruset ka dicka që i bashkon dhe ajo është trashëgimia e përbashkët historike e luftës kundër “murtajës naziste” të Evropës, çfarë është veçanërisht aktuale në prag të 75 vjetorit të Fitores.

Intervistoi: Marjana Doda

– Z. Ambasador, në intervistën tuaj të parë për publikun shqipfolës, më lejoni t’Ju uroj mirëseardhjen Tuaj në Shqipëri. Si e vlerësoni Shqipërinë dhe miqësinë e hershme midis popujve tanë?

Shumë faleminderit për urimin Tuaj! Përgjatë disa muajve që jetojmë në Tiranë, bashkëshortja ime dhe unë kemi mundur të vizitojmë pjesë të ndryshme të Shqipërisë, të cilat na ndihmuan të vlerësojmë natyrën, historinë dhe potencialin e pasur turistik të këtij vendi. Ju jetoni në një vend të bukur, autentik, i cili, pa ekzagjerim, mund të quhet perla e Mesdheut e paeksploruar plotësisht. Kam në plan të vizitoj qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare: Beratin, Korçën dhe Shkodrën, të shoh nga afër Rivierën Shqiptare, të njihem me kuzhinën tradicionale dhe jetën e popullit tuaj. Admiroj mikpritjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar të banorëve vendas. Është kënaqësi të shoh që shqiptarët e thjeshtë, megjithë retorikën politike ndonjëherë jo miqësore, ushqejnë ndjenja të ngrohta për vendin tonë. Njerëzit ruajnë fort kujtimet për vitet e miqësisë së pasluftës midis vendeve tona dhe unë shpresoj që, si Ambasador i Rusisë, të jem në gjendje të forcoj marrëdhëniet ekzistuese dhe të ndërtoj ura të reja mirëkuptimi dhe besimi midis popujve tanë, aq më tepër që për këtë ekzistojnë të gjitha premisat.

– Në ditët e para të qëndrimit tuaj në Tiranë në Shqipëri, ndodhi një tërmet i forte, i cili u kthye në një tragjedi kombëtare. Si e përjetuat këtë ngjarje dhe cili ishte solidariteti i rusëve i shprehur në këto ditë të vështira për Shqipërinë?

Shfrytëzoj rastin që edhe një here, ashtu si kam vepruar më datë 26 nëntor  2019 nëpërmjet faqes në Facebook të Ambasadës, t’i shpreh ngushëllimet e mia popullit shqiptar në lidhje me tërmetin tragjik që ndodhi në nëntor. Ne e dimë shumë mirë se sa e fortë ishte kjo goditje për shqiptarët. Shpresoj që populli Juaj t’i kapërcejë sa më shpejt pasojat e kësaj tragjedie. Qytetarët rusë reaguan menjëherë ndaj tragjedisë së ndodhur në Shqipëri. Në ditët e para pas tërmetit liderët rusë i dërguan ngushëllime kolegëve shqiptarë. Federata Ruse dërgoi një sërë propozimesh në lidhje me format e ndihmës sonë falas, por ato mbetën pa përgjigje. Komuniteti Shpirtëror i Myslimanëve të Moskës, fondacioni islamik i bamirësisë “Zakjat” dhe Kisha Orthodhokse Ruse njoftuan për mbledhjen e fondeve për të lënduarit. Këto janë nisma private të njerëzve dhe organizatave që ne si Ambasadë mund vetëm t’i mirëpresim.

Aktualisht po shqyrtohet çështja e dërgimit të pajisjeve mjekësore nga Rusia. Vendi ynë mori pjesë dhe në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë në Bruksel.

– Duket se marrëdhëniet politike midis Tiranës dhe Moskës nuk përkojnë me miqësinë që ekziston midis popujve. A mendoni se ky fenomen i miqësisë midis popujve duket pak arkaik në shekullin XXI me rritjen e mirëqenies në botë, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, në të cilën u përfshinë vendet tona?

Fatkeqësisht, marrëdhëniet politike midis shteteve nuk pasqyrojnë gjithmonë perceptimet reale midis popujve. Shpesh, konjuktura ndërkombëtare, ambiciet e politikës së jashtme dhe veprimet e palëve të treta luajnë një rol negativ. Për sa i përket miqësisë midis popujve, sot këto nuk janë fjalë boshe. Edhe nëse ekzistojnë kontradikta serioze politike midis vendeve, kjo nuk do të thotë se ka antipati ose armiqësi të një populli ndaj një tjetri. Në Shqipëri, dhe unë jam bindur për këtë nga përvoja ime, mbetet një interes i thellë për kulturën, letërsinë dhe artin rus. Dhe, meqë ra fjala, në dallim nga fusha politike, ne kemi me se të krenohemi në fushën e bashkëpunimit humanitar. Prej shumë vitesh, programi i qeverisë ruse për dhënien e bursave për studime falas në institucionet e arsimit të lartë të Rusisë është shtrirë edhe në Shqipëri. Pranë ambasadës vazhdojnë të zhvillohen kurset e gjuhës ruse falas, të cilat gëzojnë një popullaritet të madh. Në vendin tuaj vijnë rregullisht grupe muzikore ruse, pjesëmarrja e interpretuesve tanë në festivalet që zhvillohen këtu tashmë është kthyer në një traditë të mirë.

Unë, gjithashtu, mendoj se me rritjen e mirëqenies, njerëzit kanë mundësi të reja të njohin më mirë kulturën e vendeve dhe popujve të tjerë përmes udhëtimeve, mësimit të gjuhëve të huaja dhe arsimimit jashtë vendit.

– Niveli i mirëqenies ekonomike, gjithashtu, lë shumë për të dëshiruar. Prania e biznesit rus mund të japë një shtysë në ekonominë shqiptare, veçanërisht në fushat e energjisë, prodhimit të hidrokarbureve, turizmit dhe eksportit të produkteve bujqësore shqiptare. Si do të komentonit bllokadën e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve?

Unë jam plotësisht dakord me fjalët Tuaja në lidhje me efektin e mundshëm të pranisë së biznesit rus në tregun vendas. Fatkeqësisht, gjendja e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve tona nuk ngjall entuziazëm. Qarkullimi i mallrave arrin në pak më shumë se 100 milion euro. Në të vërtetë, kjo shifër nuk na jep një tablo të plotë, pasi një pjesë e konsiderueshme e eksportit rus kalon në Shqipëri përmes ndërmjetësve.

Pasi iu bashkua sanksioneve anti-ruse, Shqipëria mbylli vetë aksesin në tregun tonë për produktet e saj bujqësore. Në të njëjtën kohë, dua të vë në dukje se vëllimi i eksportit të produkteve shqiptare në vendin tonë ishte në rritje në mënyrë të qëndrueshme deri në vitin 2015. Aktualisht, zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve tregtare pengohet nga sanksionet, mungesa e një dialogu normal politik, si edhe nga problemet e klimës vendase të investimeve. Jam i sigurt se me zgjidhjen e njëpasnjëshme të këtyre problemeve bashkëpunimi ynë tregtar dhe ekonomik do të tregojë rritje të dukshme.

– Shqipëria ka marrë kryesimin e OSBE-së për vitin 2020. Kryeministri E. Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Rusi në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së. Cilat janë pritjet e një vizite të një niveli kaq të lartë dhe sa mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe?

Rusia ruan një qasje të veçantë ndaj kësaj Organizate: në vitin 1973 BRSS dhe një serë shtetesh evropiane iniciuan sesionet e para për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë. Me kalimin e kohës ky format dëshmoi efektivitetin e tij dhe ndikoi në rritjen e besueshmërisë midis dy blloqeve ndërluftuese. Në panelet e kësaj Organizate u hartua Karta e Parisit për Evropën e Re e vitit 1990,  e cila hyri në histori si dokumenti që shënoi përfundimin e Luftës së Ftohtë; këtu u nënshkrua dokumenti më i rëndësishëm për sigurinë evropiane – Traktati për Forcat Konvencionale të Armatosura në Evropë (CFE). Gjatë 30 viteve të fundit OSBE-ja ka luajtur një rol të madh në zgjidhjen e situatave të konfliktit në Evropë.

Sot, ashtu si në vitet e themelimit të saj, OSBE ka nevojë për një vullnet politik të fortë për të kapërcyer fenomenin e mosbesimit të ndërsjellë dhe rreziqet në rritje ndaj sigurisë së Evropës. Një rol të rëndësishëm luan edhe vendi kryesues i organizatës dhe aftësia e tij për të marrë vendime të balancuara dhe për dëgjuar e marrë parasysh pikëpamje të ndryshme. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj Tiranës suksese në këtë detyrë jo të lehtë. Unë besoj se në fund të shkurtit Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edi Rama do të ketë mundësinë që, në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, të diskutojë në detaje me palën ruse në Moskë këto çështje të rëndësishme e aktuale. Përveç axhendës së OSBE-së, palët, gjithashtu, do të diskutojnë çështje të marrëdhënieve dypalëshe. Është herët të flasim për ndonjë ndikim të kësaj ngjarjeje në perspektivat e mundshme të zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, por sidoqoftë, vetë fakti i vizitës së parë, pas shumë vitesh, të një niveli kaq të lartë është inkurajues.

– Në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor çdo ditë po flasin gjithnjë e më shumë për të ashtuquajturin “Kërcënim rus”. Pse shfaqet sërish “kërcënimi rus” ose “kërcënimi nga Lindja” ndaj “demokracive perëndimore” në një kohë, kur ekziston vetëm një bllok ushtarak në botë (bota unipolare transatlantike)? A ekziston “kërcënimi rus” dhe a mund të konsiderohet ky i fundit si shkaku i fillimit të një lufte të re të ftohtë?

Nuk ka asnjë kërcënim rus, sepse, së pari, parimet themelore të politikës së jashtme ruse janë bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve globale, si edhe zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe mbi baza të leverdisë së ndërsjellë, dhe, së dyti, ne nuk kërcënojmë askënd. Përpjekjet për të fajësuar Moskën në lidhje me krizat aktuale ndërkombëtare (përfshirë atë në Ukrainë dhe Gjeorgji) rrjedhin nga një keqkuptim i thellë i shkaqeve të tyre. Rusia nuk ka armiq. Armik për ne është vetëm ai që na sulmon. Ne nuk dëbojmë diplomatë dhe nuk ndërmarrim masa ushtarake apo sanksione me iniciativën tonë.

Për mungesën e qëllimeve agresive të Rusisë dëshmojnë më së miri shpenzimet e saj ushtarake. Buxheti i përgjithshëm ushtarak i vendeve të NATO-s është 20 herë më i lartë se shpenzimet e Rusisë në këtë fushë. Ky është një ndryshim shumë i madh që nuk mund të shpjegohet me faktorin e disproporcionit në standardet e jetesës, të cilin e përmendin shpesh në aleancë. Kjo gjë shpjegohet shumë më thjeshtë: nëse flasim për qëllimet dhe objektivat e ndërtimit ushtarak, atëherë kemi të bëjmë me mbrojtje, jo sulm, e aq më pak me sulm “preventiv”.

Në të njëjtën kohë, unë e konsideroj të pasaktë përdorimin e termit “luftë e ftohtë” në situatën aktuale ndërkombëtare. Bota e sotme është e hapur dhe më shumë se kurrë njerëzit kanë mundësi të lëvizin në vende të ndryshme; ata nuk janë të ndarë nga ideologjitë kundërshtuese. Ne besojmë se koncepti i unipolaritetit është vjetëruar dhe shumë shpesh bëhet shkaku kryesor i krizave ndërkombëtare dhe gabimeve politike, duke shtuar duke shkaktuar gjithnjë e më shumë te bashkësia ndërkombëtare dëshirën për t’iu larguar këtij fenomeni.

– Vitet e fundit Rusia duket se është më e fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, por ajo bashkëpunon dhe është një aleat i fuqive të tjera që, gjithashtu, kanë marrëdhënie të tendosura me bllokun perëndimor: Kinën, Iranin dhe Turqinë. A mendoni se Rusia po ndërton aleanca të reja, të cilat mund të jepnin një kontribut të madh për sigurinë e botës?

Rusia bashkëpunon dhe bashkëvepron me vendet e mbarë botës. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me shumicën e vendeve të Amerikës Latine, kemi qenë tradicionalisht një partner i fortë dhe i besueshëm politik dhe ekonomik i vendeve të Afrikës (meqë ra fjala, në tetor të vitit 2019, në Soçi u mbajt samiti i parë i “Rusi-Afrikë”, në të cilin 43 vende u përfaqësuan në nivelin më të lartë). Ne jemi pjesëmarrës në forumet SCO dhe APEC, dhe për shumë vite kemi zhvilluar një dialog partneriteti në linjën Rusi-ASEAN. Lidhje të shumanshme politike, tregtare dhe ekonomike ekzistojnë midis Rusisë dhe Japonisë, pavarësisht pretendimeve të palës japoneze për ekzistencën e të ashtuquajturit “problem territorial”. Marrëdhënie intensive po zhvillohen edhe me një sërë shtetesh evropiane, përkundër sanksioneve.

Sa i përket marrëdhënieve të tensionuara me vendet, si Ju u shprehët, të “bllokut perëndimor”, mund të them se ne konsiderojmë NATO-n si një “bllok” dhe marrëdhëniet tona në sferën ushtarako-politike vërtet lënë shumë për të dëshiruar. Sidoqoftë, me vendet anëtare të kësaj organizate, në format dypalësh shpesh jemi partnerë (për shembull, “marrëveshja bërthamore” me Iranin), madje edhe aleatë (bashkëpunimi me Turqinë në Siri). Pikërisht, për këtë arsye Rusia ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë formimin e një rendi shumëpolar, i cili, në fakt, është tashmë një realitet. Rusia, me të vërtetë, zhvillon marrëdhënie partneriteti me Kinën, por edhe vendet e Evropës bëjnë të njëjtën gjë: shikoni nivelin e lidhjeve politike dhe ekonomike midis tyre. Me Iranin na lidh një histori shekullore e fqinjësisë dhe bashkëveprimit. Aktualisht, ne, së bashku me Teheranin dhe Ankaranë, jemi duke kërkuar mënyra për të luftuar në mënyrë efektive terrorizmin ndërkombëtar në Siri. Në të njëjtën kohë, Rusia është një nga palët e Planit të Përbashkët e Gjithëpërfshirës të Veprimit për programin bërthamor të Iranit. Së bashku me garantuesit e tjerë të marrëveshjes, ne jemi kundër përpjekjeve të SHBA-ve që synojnë prishjen e këtyre marrëveshjeve historike.

– Në të njëjtën kohë, duhet të pranohet se faktori shqiptar po shndërrohet në një “mollë sherri” midis lindjes dhe perëndimit, nga e cila më shumë po vuan Kosova. A mendoni se Rezoluta 1244 e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së është e vjetëruar dhe Rusia dhe aleatët e saj të tjerë (të cilët janë miqtë e Shqipërisë) po lëndojnë gjithë popullin shqiptar duke mos njohur dhe penguar njohjen e së drejtës legjitime të ekzistencës së shtetit të Kosovës?

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të KB nuk “vjetërohen”, ato mund të plotësohen, updatohen dhe anulohen vetëm me një vendim të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, diçka që në këtë rast ende nuk ka ndodhur. Çështja e Kosovës është në axhendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe diskutohet rregullisht nga përfaqësuesit e përhershëm të organizatës. Prania ndërkombëtare e krijuar në bazë të rezolutës (në veçanti, UNMIK) vazhdon punën e saj në Kosovë. Besoj se Ju, gjithashtu, e keni dëgjuar komentin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme mbi nevojën e aprovimit të marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Një qëndrim i tillë është zgjidhja e vetme e pranueshme bazuar në Rezolutën 1244.

Në asnjë rast nuk synojmë të fyejmë popullin shqiptar, ashtu si edhe nuk po përpiqen, jam i sigurt, pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur “pavarësinë” e Kosovës. Qëndrimi i diplomacisë ruse konsiston në dhënien e mundësisë Beogradit dhe Prishtinës për të arritur në mënyrë të qetë, pa u nxituar dhe pa presion nga forcat e treta, një zgjidhje efektive dhe reciprokisht të pranueshme për problemin e Kosovës.

– Politikanët shqiptarë akuzojnë njëri-tjetrin për financim ose bashkëpunim me rusët, çfarë paraqitet si një teori konspirative për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Pse ndodh kjo, cili është mesazhi juaj për politikanët shqiptarë në lidhje me këtë çështje dhe si i vlerësoni perspektivat e zhvillimit të ngjarjeve?

Edhe para ardhjes sime, Ambasada ka komentuar shpesh dhe në detaje akuzat e ndërsjella të forcave politike shqiptare për përdorimin e “parave ruse”, financimin nga oligarkët rusë, etj. Puna shkoi deri në akuza për leximin e letërsisë sovjetike dhe komunikimin me median ruse. Paranoja nuk mjekohet, për më tepër, përkeqësohet në sezone.

Fatkeqësisht, spekulimet për “ndërhyrjen ruse” në punët e brendshme të Shqipërisë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Krijohet përshtypja se autorët e tyre e kanë parë këtë praktikë te politikanët amerikanë dhe vendosën të luajnë të njëjtën lojë në skenën vendase.

– Pyetja ime e fundit: cila është detyra juaj kryesore në postin e ri si Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, dhe çfarë mund të shërbejë në forcimin e miqësisë midis dy popujve dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve tona?

Detyra ime kryesore është zhvillimi i mëtejshëm i lidhjeve dypalëshe në të gjitha fushat kryesore: politike, ekonomike dhe humanitare. Ne shpresojmë që edhe pala shqiptare do të mbështesë qasjen tonë konstruktive.

Vendet tona kanë një potencial të madh në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht duke marrë parasysh kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria këtë vit. Shpresoj se intensiteti më i madh i kontakteve do të ndihmojë vendet tona të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin.

Jam i bindur se Shqipëria dhe Rusia, përveç pikëpamjeve ideologjike që mbizotërojnë këtu, nuk kanë asnjë arsye tjetër për të patur marrëdhënie të këqija, popujt tanë ushqejnë ndjenja të ngrohta ndaj njëri-tjetrit, njerëzit i ruajnë fort kujtimet për miqësinë e ngushtë midis Shqipërisë dhe BRSS në periudhën e pasluftës. Ne na bashkon trashëgimia e përbashkët historike e luftës kundër “murtajës naziste” të Evropës, çfarë është veçanërisht aktuale në prag të 75 vjetorit të Fitores.

/argumentum

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne