Ambasadori turk: Jemi mobilizuar të ndihmojmë popullin mik shqiptar

Delegacioni turk dhe ai shqiptar kanë zhvilluar një takim në lidhje me procesin e ndërtimit të 500 njësive të banimit për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi dhjetëra të vdekur e qindra të plagosur.

Në takim ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk dhe zv/presidenti i Administratës së Zhvillimit të Strehimit Publik të Turqisë (TOKI), Mustafa Levent Sungur si dhe Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.

Në njoftimin nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë thuhet se ministrja Margariti në statusin e koordinatores për planifikimin e projekteve të rindërtimit, ka theksuar në konferencën për mediat me delegacionin turk se po evidentojnë prona shtetërore, ku ndërtimi do jetë më i shpejtë.

“Qeveria turke ka premtuar ndërtimin e 500 ndërtesave dhe ne ua kemi bërë të qartë se sfida jonë më e madhe është zona rurale. Do të ishte shumë e thjeshtë që projektet të zhvilloheshin në zona rezidenciale, por ne mendojmë zonat rurale, ku dëmi ekonomik dhe psikologjik është shumë i madh, kanë nevojë për mbështetje dhe një mundësi shprese. Po ecim shpejt për ndërtimin e skenarëve të duhur dhe e rëndësishme është të mos humbasim kohë. Nga inspektimet që janë bërë në terren po piketohen prona shtetërore, të cilat e lejojnë edhe më shpejt ndërhyrjen”, ka theksuar ministrja Margariti.

Sipas njoftimit, ajo ka falënderuar delegacionin turk për angazhimin dhe gatishmërinë, për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar në këto ditë të vështira.

Yöruk: Jemi mobilizuar të ndihmojmë popullin mik shqiptar me të gjitha mundësitë

Ndërsa ambasadori turk në Tiranë, ka theksuar se Turqia ka përvoja nga tërmetet dhe se e dinë shumë mirë psikologjinë që krijohet në momente të tilla.

“Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe udhëzimeve të Presidentit tonë, të gjitha institucionet janë mobilizuar për këtë projekt dhe shumë syresh janë ulur në terren. Jemi mobilizuar të ndihmojmë popullin mik shqiptar me të gjitha mundësitë që kemi. Presidenti foli për 500 banesa, që do të realizohen nga shteti turk. Direkt pas udhëzimeve tona një delegacion i TOKI-t, erdhi në Shqipëri ditën e shtunë, kemi kryer bisedime dhe kemi arritur në fazën që po përcaktojmë se ku mund të zhvillohen këto ndërtime”, është shprehur ambasadori Yöruk.

Ai ka shtuar se do të bëjnë të pamundurën që të realizojnë këtë projekt sa më shpejt, duke theksuar “pasi e dimë se sa i rëndësishëm është strehimi i të prekurve nga tërmeti”. Ambasadori i Turqisë në Tiranë është shprehur se krahas strehimit do të lindë nevoja edhe për plotësimin e disa kërkesave me karakter social.

“Dizenjimi do të bëhet në përputhje me nevojat që kanë banorët në atë zonë. Do të ketë një park për fëmijët, hapësira tregtare, parkingje, pra gjithçka që nevojitet për një jetesë sa më komode. Dizenjimi do të bëhet në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, por në radhë të parë është strehimi i atyre banorëve, që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe qëllimi ynë është t’u japim një cilësi jetese edhe më të mirë se ajo më parë”, tha ambasadori turk, sipas njoftimit nga Ministria e Kulturës.

Sungur: “Jemi në përfundim të dizenjimit të projektit për ndërtimet e godinave”

Ndërsa zv/presidenti i TOKI-t, Sungur, është shprehur se “shteti turk është i gatshëm t’u vijë në ndihmë të prekurve sa më shpejtë”.

“Jemi në përfundim të dizenjimit të projektit për ndërtimet e godinave, fillimisht në zonën e Laçit. Po kryejmë të gjitha proceset për fillimin e punimeve në këto zona, gjithmonë, duke respektuar arkitekturën vendore. Shpreh falënderimin tim për ministren dhe ekipin e saj, për ndihmën e plotë që na ka dhënë këto ditë. Kemi marrë udhëzime që të fillojmë me zonën e Laçit dhe po punojmë për studimin dhe përmirësimin e terrenit atje. Më pas do të vijojmë me ndërtimin e godinave të tjera, atje ku do të përcaktohen”, u shpreh Sungur.

Kujtojmë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar ndërtimin e 500 njësive të banimit në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.

Ndërkohë, institucionet dhe organizatat e ndryshme nga Turqia që në ditën e parë të tërmetit kanë vazhduar shpërndarjen e ndihmave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për familjet e prekur nga tërmeti.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne