Shqiperia

Ambasadori turk në Tiranë: Në pesë shekuj kemi jetuar së bashku; shqiptarët nuk janë parë asnjëherë si të huaj

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat A. Yoruk ka folur në emisionin ‘Përballë’ në RTSH për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve përgjatë historisë.

Ambasadori Yoruk nuk përmend asnjëherë fjalën pushtim kur flet për shqiptarët brenda Perandorisë Osmane, por se “për pesë shekuj këta dy popuj jetuan së bashku në aspektin shpirtëror dhe kulturor.”

“Në historinë tonë kemi shumë figura të përbashkëta. Dihet se të paktën 32 kryeministra të kohës kanë qenë me origjinë shqiptare. Domethënë, vëllezërit tanë shqiptarë gjatë historisë asnjëherë nuk janë parë si të huaj. Atyre u është lënë besimi maksimal dhe u janë besuar detyrat të nivelit më të lartë”, është shprehur ambasadori turk.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale në vendin e tij, ku Rexhep Taip Erdogan u shpall sërish fitues, Yoruk shprehu besim se rezultati do e fuqizojë Turqinë në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë.

“Një Turqi më e fuqishme do të thotë më shumë investime, më shumë popullsi dhe më shumë bashkëpunim. Një Turqi më e fuqishme do të thotë një Evropë dhe një Ballkan më të begatë, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Një Turqi më e fuqishme gjithmonë ka qenë në mbështetje të Shqipërisë. Dashuria që presidenti ynë ka për Shqipërinë dhe vëllezërit tanë shqiptar njihet nga të gjithë”, deklaroi Yourk.

Ai bëri thirrje shqiptarëve që të mos dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat që financohen nga Lëvizja Gylen, por të orientohen drejt shkollave që financohen nga shteti turk.