Bota

Amerika e ndihmon Izraelin çdo vit me 4,5 miliardë dollarë

Sipas një lajmi të të përditshmes izraelite “Haaretz”, Trump në kthim të vizitës së papritur në Irak kishte pasur në avion një bashkëbisedim me gazetarët që e shoqëronin.

I pyetur për ndikimin që do të ketë në Izrael vendimi i ShBA-së për tërheqjen e trupave nga Siria, Trump tha: “Ne i japim Izraelit çdo vit 4,5 miliardë dollarë dhe Izraeli po e mbron mjaft mirë veten.

Duke deklaruar se ai kishte biseduar me kryeministrin izraelit, Beniamin Netanjahu, Trump citohet të ketë thënë: “Netanjahut i thashë kështu: ‘Siç e dini, ne i japim Izraelit 4,5 miliardë dollarë në vit dhe ju po e mbroni shumë mirë veten’. Unë isha ai që e transferova ambasadën në Jerusalem. Unë kam qenë ai që kam shprehur dëshirën dhe vullnetin për ta bërë këtë. Kështu e kanë këto punë. Me Izraelin do të kujdesemi shumë. Izraeli do të bëhet mirë. Izraelit i japim 4,5 miliardë dollarë. Nëse kontrolloni të dhënat, do të shihni se ne i kemi dhënë Izraelit shumë më tepër se kaq“.

Kurse Kryeministri Netanyahu u ishte shmangur kritikave të hapura në adresë të vendimit të Trump-it, duke thënë se “Izraeli do të punonte mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdonte të garantonte sigurinë e tij në të gjitha rrethanat”, por gjithsesi në Izrael vendimi i Uashingtonit për tërheqje (nga Siria) ishte pritur me shqetësime.

Mediat izraelite kishin shkruar se Izraeli do të mbetej i vetëm në Siri, sidomos kundër Iranit, dhe e kishin kritikuar ashpër Trump-in për vendimin.

Izraeli renditet në krye të vendeve që ka përfituar më shumë nga ndihmat e SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore e këtej.

Sipas të dhënave të Shërbimit të Kongresit amerikan për Hulumtime, administratat e Uashingtonit kanë dërguar më shumë se 130 miliardë dollarë ndihma deri tani në Izrael. Dhe shumica dërrmuese e këtyre ndihmave kanë qenë në fushën ushtarake.

OPINIONE