Amerika do të sabotojë testet raketore të Koresë Veriore

Ushtria amerikane po konsideron goditjen në fluturim të raketës, në testin e ardhshëm të Koresë së Veriut, si një mënyrë për t’i treguar forcën Penianit.

Bazuar në burimet e saj, gazeta britanike “the Guardian” shkruan se, Pentagoni po kërkon mënyra që nuk sjellin luftë për t’i bërë presion Koresë së Veriut, që të mos kryejë teste raketash dhe sidomos testin e 6 bërthamor. Sigurisht që interceptimi i një rakete që po testohet nuk është mënyra më diplomatike për t’u marrë vesh me Korenë e Veriut, por do të dërgonte sinjalin e qartë se vendi komunist nuk tremb askënd me armët e tij. Mësohet se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka informuar Kongresin për këtë opsion, por ushtria ende nuk ka vendosur që të rrëzojë raketën koreano-veriore kur të ngrihet në fluturim. Analistët shkruajnë se administrata “Trump” e ka paralajmëruar shumë qartë Korenë e Veriut që të mos bëjë provokime, megjithëse rrëzimi i një rakete duket një akt i tepruar dhe mund të konsiderohet si akt lufte nga Koreja komuniste. Kjo e fundit, pavarësisht kërcënimeve, u zotua se do të vazhdojë pa u shqetësuar testet e raketave. Ekspertët paralajmërojnë se askush nuk e di sesi do të reagonte udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un ndaj rrëzimit të mundshëm të raketës së tij në testim, por një gjë është e sigurtë: ai nuk do të pranojë të shfaqet si i dobët dhe kjo implikon shumë pasoja negative./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne