Rajoni

Ana Brnabiç prezanton kabinetin e ri qeveritar në Serbi

Kryeministrja e deritanishme Ana Brnabiç, këtë të dielë ka bërë publik edhe emrat e qeverisë së re në Serbi.

Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e re të Serbisë do të jetë Aleksandër Vulin, ministër i Punëve të Jashtme Nikolla Sellakoviç, ministër i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviç, Zorana Mihajloviç do të jetë ministre e Energjisë, ndërsa Sinisha Malli dhe Zllatibor Lonçar do të qëndrojnë në resoret e tyre – financa dhe shëndetësi.

Në qeverinë e re është edhe kryetarja e deritanishme e Parlamentit, Maja Gojkoviç, si ministre e Kulturës. Qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministrja serbe Ana Brnabiç, do të ketë 21 ministri.

Brnabiç do të paraqes kabinetin e saj edhe ekspozenë në Parlamentin e Serbisë më 28 tetor. Nga zgjedhjet në Serbi kanë kaluar 126 ditë, gjë që e bën formimin e qeverisë aktuale më të gjatën në 20 vitet e fundit.

Zgjedhjet u mbajtën në 21 qershor dhe lista e Partisë Përparimtare Serbe e presidentit aktual Aleksandër Vuçiç fitoi 188 nga 250 ulëse në parlament.

Koalicioni Partia Socialiste e Serbisë – Serbia e Bashkuar (Ivica Daçiç) fitoi 32 vende dhe Aleanca Patriotike Serbe – SPAS 11 vende.Partitë e pakicave kombëtare – Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit, SDA Sanxhak dhe Alternativa Demokratike Shqiptare kanë gjithashtu ulëse në parlament.

Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill të vitit 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, njoftoi më herët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç./tpz

OPINIONE

INTERVISTA