Analiza e “Il Fatto Quotidiano”: Shqipëria nuk është Venezuela, as ajo e ‘97-ës

Shtypi dhe mediat italiane po i kushtojnë një interes të veçantë krizës politike në Shqipëri. Çdo ditë ato pasqyrojnë protestat e opozitës dhe intervista me protagonistët. Nuk kanë munguar në Tiranë, emra si RAI, La Reppubblica, Mediaset, Corriere, etj. Edhe gazeta e njohur “Il Fatto Quotidiano” i ka kushtuar pak ditë më parë një analizë të gjatë asaj që po ndodh në Shqipëri.

“Së pari: Shqipëria nuk është ajo e vitit 1997. Së dyti: Tirana nuk është në kaosin e Karakasit. Së treti: diskursi politik shqiptar ka kohë që është njollosur nga përdorimi i ofendimeve dhe në qoftë se nuk jeni mësuar me akuzat e tilla do të habiteshit nëse do të dëgjonit protagonistët.

Përplasja ndërmjet palëve është e vështirë, shkon përtej sallës së parlamentit. Për më tepër, pas viteve të galopit ekonomik, në mesin e popullatës ka filluar të mbizotërojë pakënaqësia. Por ajo që po ndodh në këto ditë përtej Adriatikut nuk është nisja e një lufte civile dhe as e një kryengritjeje popullore për liritë themelore. Kjo, për të përcaktuar përmasat e duhura të krizës” – thuhet në shkrimin me titull: “Shqipëria, pas kthimit të opozitës në shesh. Mes akuzave për mashtrim të zgjedhjeve, korrupsion dhe dobësimi i ekonomisë”.

Gazeta bën më pas një përshkrim për atë që ndodhi në protestat e opozitës në shesh. Aty thuhet se “përpjekja për të sulmuar selinë e qeverisë, të shtunën e 16 shkurtit, çoi në arrestime dhe dorëheqje. Gjykata në Tiranë konfirmoi lënien në burg për 6 nga 19 protestuesit e arrestuar. Më pas flitet për kërkesat e opozitës që këmbëngulin si hap të parë për krijimin e një qeverie tranzitore e cila mund të organizojë zgjedhjet e parakohshme në qershor, së bashku me ato administrative.

“Situata është e pashembullt, pavarësisht faktit që gjatë 30 viteve të fundit ka pasur raste të bojkotit parlamentar. Megjithatë lënia e mandateve nuk ka ndodhur kurrë. Rama mund të shkojë përpara pasi ka numrat: 78 vende nga 140 që përbëjnë Kuvendin. Por brenda opozitës, jo të gjithë ishin të gatshëm të formalizojnë heqjen dorë nga mandati”.

Mashtrimi elektoral, korrupsioni dhe mafia

“Il Fatto Quotidiano” ndalet edhe të akuzat e opozitës. Ajo përmend deklaratat e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit që 2 vjet pas zgjedhjeve flasin për rrëzimin e qeverisë duke e akuzuar atë se ka vjedhur votat.

“Ata e konsiderojnë parlamentin aktual të paligjshëm, sepse u zgjodh me “votat e krimit dhe mafias”. Kështu thotë udhëheqësi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të cilin Shqipëria është në një gjendje emergjence të shkaktuar nga “kapja në flagrancë e qeverisë teksa vjedh votat”. Kjo ushqehet nga hetimet e prokurorisë në të paktën 5 qarqe, mes të cilave edhe Durrësi.

Është fakt që Shqipëria jeton në të keq duke parë interesat e publikut të fundosura nga ato personale. Është vendi më i korruptuar në të gjithë rajonin e Ballkanit sipas të dhënave të Transparency International, por ky fenomen i ka rrënjët më të thella. Janë dhe ata që i kanë vënë emrin vendit “Kanabistan” sepse prodhimi i marijuanës ka qenë një gozhdë e fortë, megjithëse ka pasur një kundërofensivë.

Krimi, në këtë hapësirë ka qenë në gjendje ta bëjë Shqipërinë portë në Evropë, jo vetëm për barin (marijuanën), por edhe për kokainën e Amerikës së Jugut dhe pjesërisht, të heroinës që vjen nga Lindja e Mesme . Ish-ministri i Brendshëm (Saimir Tahiri) duhej të jepte dorëheqjen pas një skandali gjyqësor të nisur nga Italia lidhur me trafikimin e drogës. Edhe për këtë arsye Partia Demokratike akuzon Ramën se e ka shndërruar vendin në një narko-shtet.

Kritikat e ndërkombëtarëve: për SHBA është një sabotim

“Në nivel ndërkombëtar, ishte një bumerang për opozitën. Ambasada e SHBA në Tiranë foli për sabotim. “Në një demokraci të shëndetshme – theksoi ajo në një koment të ashpër – kërkohet një opozitë që punon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të tjera të opozitës minojnë parimet themelore të demokracisë duke sabotuar përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë si në aspektin e sundimit të ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme” – citon “Il Fatto Quotidiano” që më pas citon edhe deklaratat e BE.

Dyshimet mbi protestën dhe paralelet me “21 janarin”

“Partia Demokratike kaloi tre muaj në vitin 2017 përballë ndërtesës së qeverisë ku kishte ngritur edhe një çadër. Herën e fundit mobilizoi mijëra qytetarë dhe në prag të marshimit policia foli për rrezikun e infiltrimit të personave të inkriminuar. Opozita këmbënguli në të drejtën e saj për të protestuar duke pretenduar se ishte futur në një kurth nga policia e cila lejoi protestuesit të thyenin kordonin e sigurisë për t’ju afruar derës së kryeministrisë.

Nga ana tjetër, është e sigurt se sulmi ndaj ndërtesës së qeverisë ishte i paramenduar, për të nxitur Gardën e Republikës të hapte zjarr. Një reagim i kësaj madhësie do ta kishte çuar Ramën të dridhej dhe do ta shfaqte atë në komunitetin ndërkombëtar si diktator.

Kjo gjithashtu do të kishte shërbyer si balancë për llogari të 21 janarit 2011 që Tirana nuk e harron. Gjatë një demonstrate kundër qeverisë së atëhershme të Berishës, agjentët gjuajtën në lartësinë e njerëzve, duke vrarë 4 vetë. PD-ja më pas foli për një përpjekje për grusht shteti nga Edi Rama në mënyrë që të justifikonte përdorimin e armëve. Gjykata konstatoi se ishte një manifestim civil që degjeneroi për faj të disave”.

Problemet reale të Shqipërisë

“Pakënaqësia nuk mungon në anën tjetër të Kanalit të Otrantos. Megjithëse është një kancer, industria e kanabisit shpesh vepron si një zbutje sociale, por fuqia e klaneve bëhet gjithnjë e më e pamëshirshme.
Shqetësim është varfëria: 60% e shqiptarëve thonë se janë të gatshëm të shkojnë jashtë vendit dhe në dhjetor të vitit të kaluar, 44% e atyre të moshës 18 deri 45 vjeç thanë se kishin aplikuar për emigrim. Kjo u konfirmua nga një studim i kohëve të fundit nga Qendra Shqiptare për Qeverisjen e Mjedisit në 5,600 njerëz në 18 qytete.

Perceptimi më i përhapur është se situata ekonomike është përkeqësuar në krahasim me 2017 dhe 58% e të anketuarve thanë se nuk mund të lënë mënjanë ndonjë kursim nga viti i kaluar, për shkak të rënies së të ardhurave.

Korrupsioni është kthyer në sistem: sipas të njëjtit anketim, për 50.77% e qytetarëve thonë se nuk ka një përpjekje të fortë për të luftuar këtë fenomen dhe për 31.09% është vetëm çështje propagande.

Të dhënat Eu-Imf të përpunuara nga Ambasada Italiane konfirmojnë se papunësia filloi të rritet sërish në 2018, duke arritur 12% kundrejt një norme prej 8% në vitin e kaluar dhe afër 13.5% në 2013. Megjithatë perspektiva makroekonomike mbetet pozitive, me një rënie të lehtë: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli opinionin e saj mbi normat e rritjes, duke rënë nën 4% (nivel i tejkaluar për vitin e kaluar) ndërsa aktualisht ndodhet në 3.6-3.7%”.

E ardhmja politike

“Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet. Ai publikisht thotë se nuk e mendon dorëheqjen si hipotezë, nuk e ndjen veten të detyruar të plotësojë kërkesat e minorancës që sipas tij nuk është as e aftë ta sfidojë. Të shtunën e protestës ai ishte në Vlorë. Një kështjellë e fortë e qendrës së majtë dhe kundërshtare e Berishës. Aty e ktheu një takim për çështje lokale në një manifestim me mijëra mbështetës.

Pak ditë më pas presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi që opozita të bëjë një pak pas ndërsa qeveria dhe kryeministri të bëjnë 2 sepse duhet të kuptojnë që kanë përgjegjësi për qeverisjen. Pra Rama duhet të japë shembullin. Në realitet, një ndryshim të fortë të qeverisë ai sapo e bëri duke zëvendësuar 8 ministra pas protestave të studentëve.

Që tani Rama të heqë dorë nga frika duket shumë e vështirë. Nga ana tjetër, ai mund të arrijë me Partinë Demokratike një marrëveshje të ngjashme me atë të vitit 2017, kur nënshkroi për një qeveri teknike një muaj përpara zgjedhjeve. Hyrja në zgjedhje i dha atij një shumicë absolute në Parlament. Por edhe nëse i shmanget për një moment, Rama e di se opozitën do ta ketë gjithmonë nga pas”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne