Anija palestineze niset nga Gaza në përpjekje për të thyer rrethimin

Një anije me 20 palestinezë u nis nga Porti i Gazës me shpresën për të thyer embargon detare një dekadashe të Izraelit mbi Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Së bashku me aktivistët, në mesin e pasagjerëve gjenden të diplomuar universitarë, të sëmurë që kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe palestinezë të plagosur nga dhuna e fundit izraelite pranë gardhit të sigurisë që ndan Gazën nga Izraeli.

Anija kryesore u shoqërua nga dhjetëra anije të vogla në një shfaqje sfiduese kundër rrethimit paralizues të Izraelit, i cili ka sjellë Rripin e Gazës në prag të katastrofës humanitare.

Sipas organizatorëve, përpjekja e sotme për të thyer embargon përkon me tetëvjetorin e incidentit famëkeq të anijes Mavi Marmara (31 maj 2010), në të cilin nëntë aktivistë turq u vranë nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare gjatë përpjekjes për të thyer rrethimin, ndërsa një tjetër aktivist turk ndërroi jetë gati katër vjet më vonë, duke iu nënshtruar lëndimeve të pësuara gjatë bastisjes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne