Ankaraja i përgjigjet SHBA-së për sanksionet

Turqia ka protestuar vendimin skandaloz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) që parashikon sanksione për 2 ministra turq, ministrin e Punëve të Brendshme dhe Ministrin e Drejtësisë së Turqisë.

Përgjigjen e parë ShBA-së, pas deklaratës që erdhi nga kjo e fundit për sanksionimin e dy ministrave turq, ia dha Ministria e Punëve të Jashtme.

“Qëndrimi agresiv në fjalë, që nuk i shërben asnjë qëllimi do të marrë përgjigje pa vonesë dhe me të njëjtën monedhë”, thuhet në komunikatën e ministrisë, e cila i bën apel administratës amerikane që të tërhiqet nga vendimi skandaloz.

Vendimi jo vetëm që nuk pajtohet me seriozitetin e shtetit, por nuk mund të shpjegohet as me konceptin e drejtësisë, vazhdon komunikata.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu në reagimin e tij tha se “Nuk do të lihet pa përgjigje vendim i ShBA-së për sanksione”.

I ndodhur në Singapor për të marrë pjesë në samtin e ASEAN-it, Çavushollu në lidhje me çështjen bëri një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter.

“Problemet nuk mund ti zgjidhim për sa kohë që administrata amerikane nuk do ta pranojë që kërkesat e saj të jashtëligjshme nuk mund ti realizojë në këtë mënyrë”, shkruan Çavushollu në postimin e tij.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders kishte deklaruar se ShBA-ja do të zbatojë sanksione ndaj ministrave turq të Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë për shkak të masës së sigurisë “arrest shtëpie” që është vendosur për pastorin amerikan, Andrew Brunson, i cili gjykohet në Turqi.

Në deklaratën e saj Sanders e quajti “të papranueshme” masën e sigurisë “arrest shtëpie” që kishte vendosur Gjykata muajin e kaluar për pastorin Brunson, i cili është arrestuar në vitin 2016 për akuza të forta.

Sipas akuzës për priftin Brunson kërkohet dënimi me 35 vite burg për veprat penale që ka kryer në emër të organizatave terroriste FETO/PDY dhe PKK dhe për spiunazh. Gjykata duke marrë në konsideratë “problemet shëndetësore” masën e sigurisë e kishte konvertuar në “arrest shtëpie” dhe që nga muaji i kaluar ai vazhdon të mbikëqyret në shtëpinë e tij me byzylyk elektronik./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne