Ankaraja sulmon ashpër planet e jashtëligjshme të Izraelit për të ndërtuar njësi të reja banimi në Bregun Perëndimor

Ministria e Jashtme turke sulmoi ashpër në një deklaratë të së premtes vendimin e Izraelit për të ndërtuar mbi 2,000 shtëpi të tjera në territorin e kontestuar të Bregut Perëndimor.

“Ne dënojmë me forcë miratimin nga Izraeli për të ndërtuar rreth 2200 njësi të tjera banimi në Bregun Perëndimor, që gjendet nën pushtimin izraelit. Ne e hedhim poshtë këtë vendim të paligjshëm të Izraelit i cili vazhdon të shkelë në mënyrë të papërgjegjshme rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare, dhe në vecanti Konventën e Katërt të Gjenevës”, thuhet në deklaratë.

Rreth 1,159 njësive të banimit ju është dhënë miratimi përfundimtar, ndërsa 1,032 ndërtesa janë në fazën e parë të procesit të miratimit.

Gjithashtu edhe Bashkimi Evropian i ka kritikuar planet duke i ka quajtur “të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar” dhe diçka që minon zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit miratoi planet për të ndërtuar 2.191 njësi banimi në Bregun Perëndimor, ku shumica prej tyre do të ndërtohen në lindje të gardhit të sigurisë në Bregun Perëndimor.

Izraeli dhe Palestina janë në konflikt për dekada të tëra. Ndërsa palestinezët kërkojnë njohjen e shtetit të tyre të pavarur në territoret e Bregut Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës, qeveria izraelite e refuzon njohjen e Palestinës dhe vazhdon ndërtimin e njësive të banimit në Bregun Perëndimor pavarësisht kundërshtimeve nga organizatat ndërkombëtare./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne