Ankaraja: Terroristët mund të përdorin armë kimike në Siri

“Kemi marrë informacione se organizata separatiste terroriste YPG/PKK mund të përdorë armë kimike dhe të fajësojë Forcat e Armatosura Turke (TSK) për këtë si dhe do të përpiqet të manipulojë opinionin”, tha ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar në takimin që pati të mërkurën me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA, Robert O’Brien dhe delegacionin e tij.

“Situata në rajon po ndryshon me shpejtësi dhe kjo sjell me vete edhe disa vështirësi. Na vijnë informacione se organizata terroriste do të përdorë armë kimike dhe do t’ua hedhë fajin për këtë Forcave tona të Armatosura, si dhe do të përpiqet që të ndërtojë edhe një perceptim në opinionin publik në lidhje me këtë çështje. Forcat e Armatosura Turke nuk kanë armë kimike në inventarin e tyre dhe kjo është një e vërtetë që dihet nga të gjithë. Gjithashtu ne kemi marrë informacione se organizata terroriste do të bëjë sulme masive ndaj civilëve dhe do të tentojë të manipulojë opinionin publik me këtë kinse kërcënimi i DAESH-it në rajon vazhdon ende”,- sqaroi ministri Akar.

Akar tha se delegacionit amerikan i kishin përcjellë edhe një herë tjetër të gjitha tezat dhe kërkesat e Turqisë në lidhje me situatën e fundit në Siri dhe takimin ku ishte diskutuar mbi çështjet e sigurisë.

“Operacioni «Burimi i Paqes» vazhdon në përshtatje me vlerat tona kombëtare, etike dhe profesionale. Po bëhet çdo lloj kujdesi dhe kushtohet vëmendje e veçantë për mbrojtjen e civilëve, njerëzve të pafajshëm në Siri, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe fetare. Forcat e Armatosura Turke (TSK) po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos dëmtuar vendet historike, kulturore dhe fetare, infrastrukturën si dhe njësitë e vendeve mike, aleate që mund të jenë prezentë në veriun e Sirisë. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe jo vetëm sigurisë së Turqisë dhe qytetarëve të saj, por edhe sigurisë së grupeve të tjera fetare dhe etnike që jetojnë në rajon, siç janë: kurdët, arabët, asirët, të krishterët, aramaikët, jezidët, keldanitë”,- tha Akar.

Ministri Akar vuri në dukje se mediat e huaja po përpiqen të dezinformojnë opinionin publik sidomos në lidhje me situatën në zonën e operacionit «Burimi i Paqes».

“Bashkëpunëtorët e YPG/PKK-së përdorin fotografi arkivore të ngjarjeve që kanë ndodhur në periudha të ndryshme dhe në vende të ndryshme, apo shumë lajme dhe imazhe të rreme nga skena të aksidenteve ajrore dhe shpërthimeve gjatë ushtrimeve ushtarake. Me lajme të tilla të rreme ata përpiqen të errësojnë sukseset e Forcave të Armatosura Turke gjatë operacionit në veri të Sirisë dhe vëmendjen e veçantë që tregon ushtari turk në terren. Do ta theksoj edhe një herë që përpjekje të tilla janë të kota”,- vlerësoi ministri Akar./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne