Anulohen sanksionet ndaj sportistëve rusë!

Më datë 1 shkurt Gjykata Sportive e Arbitrazhit në Lozanë ka anuluar sanksionet e vendosura nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) ndaj 28 sportistëve rusë, pasi këta të fundit ankimuan përjashtimin e tyre të përjetshëm nga pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.

Verdikti i Gjykatës dëshmon për pathemelësinë e akuzave të ngritura lidhur me shkeljen masive të rregullave kundër dopingut nga ana e sportistëve rusë. Falë këtij vendimi Rusia ngrihet sërish në vendin e parë për nga numri i medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike të vitit 2014 në Soçi.

Akuzat e KON-it janë bazuar në raportin e ekspertit të pavarur të Agjencisë Botërore Antidoping Richard McLaren, si edhe në dëshmitë e ish-drejtorit të Laboratorit Antidoping të Moskës Grigori Rodçenkov. Megjithatë, Arbitrazhi i konsideroi provat e mbledhura si “të pamjaftueshme për të konfirmuar shkeljen e rregullave kundër dopingut”, për të cilën arsye sportistët u shpallën të pafajshëm. Kështu, qasja e KON-it në raport me sportin rus, e cila përfshin aplikimin e përgjegjësisë kolektive dhe refuzimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, u shpall e papranueshme. Arbitrazhi konfirmoi që largimi nga parimet themelore të së drejtës nuk mund të lejohet.

Siç u shpreh Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, vendimi i gjykatës “sigurisht që nuk mund të mos na gëzojë dhe konfirmon qëndrimin tonë se shumica dërrmuese e sportistëve tanë janë sportistë të pastër”. Ndërsa Presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë Aleksandër Zhukov theksoi se “që në krye të herës ne kemi insistuar se sportistët tanë nuk janë të implikuar në skemat mashtruese të dopingut, dhe tani patjetër që jemi të lumtur që reputacioni i tyre i mirë është rivendosur nga gjykata dhe të gjitha çmimet e fituara u janë kthyer”.

Në Rusi shpresojnë që udhëheqja e KON-it do të nxjerrë konkluzionet e duhura nga vendimi i Arbitrazhit dhe do të lejojë sportistët e shpallur të pafajshëm të marrin pjesë në Lojërat e ardhshme Olimpike në Korenë e Jugut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne