Apartamente, automjete dhe llogari bankare/ I sekuestrohen 500 000 euro pasuri vlonjatit të dënuar për drogë (EMRI)

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë i janë sekuestruar në Vlorë, Luan Beshajt 72 vjeç, disa pasuri me vlerë 500 000 euro pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.

Policia sqaron se janë sekuestruar, 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum, 1 pemishte në Radhimë, 2 automjete dhe 2 llogari bankare.

Sipas Policisë Luan Beshaj ka qenë më herë i dënuar për trafik droge në Itali dhe që prej vitit 2014 ai ka qenë nën hetim për pastrim parash.

Njoftimi i Policisë:

Sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.

Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur prej vitit 2014, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si më poshtë:

• 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum;
• 1 pemishte në Radhimë;
• 2 automjete;
• 2 llogari bankare;

Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 500 000 euro.
Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit L. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ky shtetas ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.

Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne