Apeli lë në “arrest shtëpie” Frrokajn: U ndjeva i ofenduar!

“Arrest shtëpie” për kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj pa mbikëqyrje policore. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ndërkohë që “arrest shtëpie” ka lënë edhe për Gjok Ndokën.

Kreu i bashkisë së Lezhës nga radhët e PD, Fran Frrokaj ka dalë këtë të martë përpara gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me skandalin e pronave tek “Rana Hedhun”.

Përpara togave të zeza ai ka thënë se ndihet i ofenduar nga veprimet e prokurorisë, duke shtuar se do duhej të ishte thirrur më parë për t’u marrë në pyetje nga organi i Akuzës.

“Jam ndjerë i ofenduar nga prokuroria dhe do duhej të isha thirrur nga ana e tyre sepse jam njeri i komunikueshëm”, është shprehur ai

Sa i përket skandalit me pronat, ai ka mohuar akuzat duke theksuar se ishte i pafajshëm. Sipas tij kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi në të gjitha procedurat e firmosura prej tij, ka ndjekur ligjin.

“Kam kërkuar ndryshimin e masës se sigurimit. Ndjehem totalisht i pafajshëm. ATMP vjen i plotësuar dhe nuk plotësohet asnjëherë nga bashkia. Jemi thjeshtë institucion i ndërmjetëm në këtë rast ATMP ne e marrim si të ligjshme dhe të rregullt dhe kalon tek ne më shumë për vjeljen e taksës sesa për verifikim. Këtë nuk e bëjmë ne. Qytetari që ka këtë dokument bashkia s’ka të drejtë firme. Thjeshtë ne i përcjellim në Hipotekë. ATMP firmos 20 deri në 50 në ditë dhe s’kemi mundësi të shkojmë në terren dhe nuk kam kompetencë. Nëse dikush ka parë që dokumentet janë false atëherë mund t’i dërgojë tek komisioni i dokumentacionit. Mbiemri Frrokaj s’ka lidhje me mbiemrin Frroku janë krejt të ndryshme. Asnjë nga fisi im s’ka lidhje ne 10 brez me këto persona. Dokumentacioni i ATMP përsa i përket Hartografisë verifikohet nga këshilli i qarkut dhe hartograf privat me licensë”, tha Frrokaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne