Arabi Saudite, gratë mund të punojnë në Ministrinë e Drejtësisë

Në Ministrinë e Drejtësisë së Arabisë Saudite për herë të parë do të ofrohet mundësia për punësimin e grave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Drejtësisë thuhet se ministri Velid es-Samaani ka dhënë urdhër për ofrimin e punësimit të grave në katër fusha të ndryshme.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se gratë mund të punojnë në pozitat si “hulumtuese sociale, hulumtuese e sheriatit, hulumtuese juridike dhe asistente administrative”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Arabisë Saudite, në vend, ku gjatë kohëve të fundit janë rritur angazhimet për punësimin e grave, niveli i papunësisë së grave, i cili vitin e kaluar ishte 34.5 për qind, në çerekun e dytë të këtij viti ka rënë në 33.1 për qind.

Në mesin e qëllimeve të qeverisë së Rijadit për vitin 2030 është rritja nga 22 për qind në 30 për qind të nivelit të pjesëmarrjes së grave në fuqinë e punës.

Me dekretin e publikuar në muajin shtator nga mbreti Selman bin Abdulaziz, u lejua që nga muaji qershor i vitit 2018, gratë të ngasin makinën./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne