Bota

Arabi Saudite – Mbreti Salman revizionon qeverinë, ndryshon edhe ministri i Punëve të Jashtme

Mbreti Salman i Arabisë Saudite revizionoi qeverinë të enjten duke emëruar ish-ministrin e Financave Ibrahim al-Assaf në postin e ministrit të ri të Punëve të Jashtme.

Siç bën të ditur televizioni “Al-Arabiya”, Mbreti Salman bin Abdulaziz al-Saud shkarkoi në të njëjtën kohë Adel al-Jubeirin nga posti i ministrit të Jashtëm dhe e emëroi atë ministër të Shtetit për Punët e Jashtme.

Dekreti mbretëror bëri thirrje për ristrukturimin e Këshillit të Çështjeve Politike dhe të Sigurisë nën drejtimin e princit trashëgimtar Mohammad bin Salman, si dhe revizionimin e Këshillit për Çështjet Ekonomike dhe Zhvillimin.

Ndërkaq, princi trashëgimtar mbajti edhe postin e tij si zv/kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes.

Dekreti njoftoi po ashtu themelimin e Agjencisë Kombëtare të Hapësirës në drejtimin e Sultan bin Salman, pasi ky i fundit u lirua nga posti i presidentit të Autoritetit të Turizmit.

Përveç kësaj, transmetuesi arab njoftoi se Abdullah bin Bandar bin Abdulaziz u emërua si ministër i Gardës Kombëtare, Turki al-Shabbaneh si ministër i Medias dhe Informacionit, Hamad Al-Sheikh si ministër i Arsimit, gjenerali Khalid bin Qirar al-Harbi si kreu i Sigurisë së Përgjithshme dhe Musaad al-Aiban si këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Revizionimi i qeverisë saudite përfshin shkarkimin e Turki al-Sheikh nga pozicioni i kreut të Autoritetit të Përgjithshëm të Sportit dhe emërimin e tij në krye të Autoritetit të Përgjithshëm të Zbavitjes.

Turki bin Talal zëvendësoi Faisal bin Khalid si guvernator i provincës Asir, ndërsa Faisal bin Nawaf zëvendësoi Badr bin Sultan si guvernator i provincës Jouf.

Më parë këtë vit, mbreti saudit riorganizoi qeverinë duke njoftuar krijimin e Ministrisë së Kulturës dhe emëruar në krye të saj princin Bader bin Abdullah bin Muhamed bin Farhan al-Saud. Ai gjithashtu zëvendësoi ministrin e Punës dhe Zhvillimit Social Ali bin Nasser al-Ghafis me Ahmed bin Sulaiman bin Abdulaziz al-Rajhi./trt