Shqiperia

Ardit Bido akuzohet se ka manipuluar arkivin e shtetit

Drejtori i Arkivit të Shtetit Ardit Bido akuzohet se ka manipuluar këtë arkiv me qëllim që të fshehë dosje të personave që kanë kryer krime në të kaluarën dhe që ende kanë funksione të larta shtetërore.

Avokati i Agron Tufës drejtorit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Kujtim Cakrani ka deklaruar sot se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetimi ndaj drejtorit të Arkivit të Shtetit, Ardit Bido. Ai ka thënë se Bido dhe ekspertë të tjerë të këtij institucioni janë vënë në hetim, pas denoncimeve se në Arkivin Qendror të Shtetit janë futur dokumente të falsifikuara me qëllim grabitjen e pronës shtetërore.

Cakrani ka hedhur akuza edhe për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit (AIDSSH), sipas së cilit është krijuar në kundërshtim me ligjin, pikërisht për t’i shkatërruar këto dosje.

Ai gjithashtu ka sqaruar edhe arsyet se përse prej muajsh, drejtori Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa dhe ai, për shkak detyrës së tij si avokat po kërcënohet nga persona anonim. Cakrani është shprehur se Tufa ka një dosje ku janë të përfshirë emra që sot kanë poste drejtuese dhe në të kaluarën kanë kryer krime, kanë persekutuar dhe plaçkitur. Cakrani tha se vetëm në Policinë e Shtetit janë 530 emra, duke hedhur dyshime se janë pikërisht këta persona të kësaj dosjeje që po kërcënojnë pasi nuk duan që të dalin në dritë e shkuara e tyre e errët.

Nga ana tjetër vetë Drejtori i Arkivave të Përgjithshme të Shtetit, Ardit Bido i ka cilësuar si shpifje akuzat nga avokati i Agron Tufës, Kujtim Cakrani.

Në një prononcim për mediat Bido shprehet se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë, teksa shtoi se nuk është në dijeni se ndaj tij apo punonjësve të arkivit të Shtetit ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë akuzë.

“Një shpifje që ka bërë avokati para disa muajsh”, ka thënë Bido./GazetaImpakt/

OPINIONE